Osmani: Një ndër synimet edhe fuqizimi i rolit të Kuvendit në politikën e jashtme

Ambasadori jorezident kanadez Alan Bowman ka uruar kryekuvendaren Vjosa Osmani për detyrën dhe ka premtuar mbështetjen e shtetit kanadez në të gjitha proceset për të cilat ka nevojë Kosova.

Osmani i ka thënë ambasadorit Bowman se synim i kësaj legjislature është fuqizimi i diplomacisë parlamentare dhe rolit të Kuvendit në politikën e jashtme.

Ajo e ka njoftuar ambasadorin Bowman për krijimin e grupeve të miqësisë parlamentare, ndër të cilët është edhe ai me Kanadanë.

Të dy bashkëbiseduesit kanë folur edhe për rëndësinë e përfshirjes së grave në delegacione ndërkombëtare, në misione diplomatike dhe në garantimin e mundësive të barabarta.

Gjithashtu u diskutua mundësia e organizimit të një vizite të parlamentarëve kanadezë në Kuvendin e Kosovës në kuadër të bashkëpunimit ndërparlamentar.​