Osmani në takim me zyrtarët e BERZH-it: Nuk do të investojmë në asfalt

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se nënkryetarja Vjosa Osmani së bashku me anëtarët e kryesisë, Lumir Abdixhiku dhe Besian Mustafa sot është takuar me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Në komunikatën e LDK-së thuhet se Osmani i ka njoftuar përfaqësuesit e BERZH-it se fokusi i investimeve të reja nuk do të jetë më në asfalt.

“Nuk do të investojmë më fondet e buxhetit të Kosovës në autostrada të reja por do të investojmë në potencialin e qytetarëve tonë, veçanërisht në rritjen e punësimit të të rinjve dhe grave kosovare” është shprehur nënkryetarja e LDK-së.

Përfaqësuesit e BERZH-it paraqiten projektet aktuale të tyre në Kosovë në sektorin privat dhe atë publik, duke u zotuar që të thellojnë bashkëpunimin me Qeverinë e ardhshme veçanërisht në infrastrukturë, energji dhe zhvillimin e sektorit privat.