Oferta e Vetëvendosjes, joserioze për LDK-në

Zgjedhjet e mbajtura 100 ditë më parë ende nuk kanë rezultuar në krijimin e qeverisë së re nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Pengesat e shumta që kanë Vetëvendosja po mundohet t’i tejkalojë përmes një oferte, që ia ka bërë të hënën LDK-së.

Në propozimin e saj LVV-ja ka theksuar të rritet numri i ministrive në 14, gjë që sipas saj mund t’i zbutë ndasitë dhe ta mundësojë lidhjen e koalicionit.

Që nga zgjedhja e Glauk Konjufcës si kryeparlamentar negociatat për bërjen e qeverisë se re mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë pësuar ndryshime. Me largimin e pozitës së kryekuvendarit nga bisedimet, opsione të reja janë vënë në tavolinën e bisedimeve, të cilat nuk po u përshtaten asnjërës prej partive.

Meqë të dyja subjektet politike kanë deklaruar se e kanë harmonizuar 100 për qind programin qeverisës, arritja e koalicionit ka ngecur te ndarja e përgjegjësive në ekzekutivin e ardhshëm. LVV-ja e LDK-ja ishin marrë vesh që qeveria e tyre të mos ketë më shumë se 12 ministri, por për shkak të mosmarrëveshjes në ndarjen e tyre Vetëvendosja gjatë të hënës ia ka dorëzuar një ofertë LDK-së, në të cilën propozohet të rritet në 14 numri i ministrive. Kjo ofertë tashmë nga njohësit e çështjeve politike në vend po shihet si propozim për t’i përmbushur apetitet për pushtet të të dyja partive. Propozimin e LVV-së LDK-ja ka theksuar se do ta shqyrtojë ditëve në vijim.

Në anën tjetër presidenti i vendit, Hashim Thaçi, që nga konstituimi i Kuvendit i ka bërë presion kohor partisë fituese ta propozojë emrin e mandatarit për kryeministër. Madje sa u përket afateve kohore dhe asaj se si duhet të veprojë presidenti nëse partia fituese refuzon ta propozojë mandatarin, Zyra e Presidentit nuk e ka mohuar se mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të dhënë sqarime.

Rritet qeveria “Kurti”

Në ofertën e fundit për bashkëqeverisje, që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ia ka dërguar të hënën LDK-së, është propozuar që numri i ministrive nga 12 të rritet në 14. Sipas këtij propozimi, Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i ketë gjashtë ministri, LVV-ja pesë, derisa minoritetet tri ministri. “E shtojmë numrin e ministrive në qeveri, nga 12 në 14 sosh, me ç’rast Lëvizja Vetwvendosje i ka 5 ministri, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 6 ministri. Ministria shtesë për LDK-ja vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LVV-ja. 3 ministri i kanë pakicat, siç edhe parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlen dakordimi i mëhershëm që zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë LVV-së”, shkruhet në ofertën e LVV-së.

Përveç kësaj, Vetëvendosja ka treguar edhe si do të shtohen dhe cilat do të jenë dy ministritë e reja. “Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit ndahet, ashtu që Kultura dhe Rinia i bashkëngjiten Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkëngjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që u jepen pakicave. Ministria e tretë është ajo për Komunitete”, thuhet në ofertën e Kurtit dërguar Mustafës. Sa i përket çështjes së presidentit, Vetëvendosje ka kërkuar që të bëhet një formulim i përbashkët për çështjen e presidentit, duke u bazuar në draftin fillestar nga LDK-ja, i cili përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për konsensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in.

Sipas analistit politik Rrahman Paqarizit, nëse oferta e LVV-së për LDK-në përmban rritjen e numrit të ministrive në 14, ndryshe prej asaj që kishin deklaruar në fushatë zgjedhore, atëherë edhe arritja e koalicionit do të jetë e mundshme, por dy partitë mund të kenë pasoja në zgjedhjet e ardhshme. “Nëse është e vërtetë se oferta e re e LVV-së përmban rritje të numrit të ministrive e aq më tepër nëse LDK-ja e pranon këtë ofertë, këtij koalicioni i del boja komplet, por bëhet. E mira e krejt kësaj manovre do të ishte se LVV-ja do të perceptohej si parti normale (çfarë edhe është) dhe gara në zgjedhjet e ardhshme do të ishte garë e ideve e jo garë e pallavrave”, ka thënë Paqarizi.

LVV-ja shpreson në përgjigje pozitive të LDK-së, ofertën e dhënë e quan kompromis të madh

LVV-ja shpreson në përgjigje pozitive të LDK-së, ofertën e dhënë e quan kompromis të madh nënkryetari i Vetëvendosjes Besnik Bislimi, ka theksuar se në ofertën që ia kanë paraqitur LDK-së, për hir të krijimit të qeverisë është bërë një kompromis i madh, i cili mund të gjykohet nga qytetarët për ndërrim të qëndrimeve para dhe paszgjedhore të LVV-së. “Në përpilimin e këtij propozimi, Vetëvendosja beson se është bërë edhe një kompromis shumë i madh, meqë gatishmëria për të rritur numrin e ministrive (nga të cilat LVV-ja nuk përfiton assesi), vetëm do të ekspozojë me pakënaqësitë e opinionit publik, i cili me të drejtë do të na sulmojë për lëvizje nga premtimi para dhe paszgjedhor për reduktim të numrit të ministrive në 12 sosh)”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se qeveria e ardhshme mund të jetë ndryshim vendimtar për të mirë dhe se këtë mund ta mundësojë reflektimi pozitiv i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së ndaj ofertës së Vetëvendosjes.

Oferta e Vetëvendosjes, joserioze për LDK-në

Lidhja Demokratike e Kosovës të hënën ka pranuar një propozim gati të ngjashëm me atë të paraqitur nga Vetëvendosje në takimin e fundit. Oferta e fundit e LVV-së me disa ndryshime të vogla nga ajo e mëparshmja ka mbetur të shqyrtohet nga partia e Isa Mustafës, ndonëse nga krerë të saj nuk po shihet me shumë seriozitet. Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka theksuar se kjo ofertë nuk ka diçka serioze dhe se nuk është optimist se ajo mund të çojë drejt një marrëveshjeje përfundimtare. “Unë po flas personalisht nuk është diçka serioze. Jemi duke e shqyrtuar, megjithatë nuk ka diçka të re. Nuk ka diçka serioze aty që mund të na nxjerrë prej situatës”, tha Veliu.

Por pavarësisht këtij gjykimi të Veliut, propozimi i LVV-së do të shqyrtohet brenda organeve të Lidhjes Demokratike. “Duhet ta shqyrtojmë me organet e LDK-së edhe besoj se do të bisedojmë për parime të marrëveshjes. Letrën e kemi marrë, në bazë të saj do t’i shqyrtojmë parimet dhe pozicionet tona. Por, nuk e di çfarë kemi të shqyrtojmë në këtë ofertë”, u shpreh Veliu, shkruan tutje “Zëri”.

Rashiti: LVV – LDK-ja nuk mund të krijojë qeveri me më pak se 15 ministri

Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, përmes një shkrimi ka reaguar ndaj vonesave në krijimin e qeverisë së re. Ai ka thënë se është e pamundur që dy partitë potenciale për krijimin koalicionit qeverisës ta bëjnë ekzekutivin e ri me më pak se 15 ministri. Sipas tij, palët duhet të heqin dorë nga fuzionimi i qeverisë dhe të pajtohen që të udhëheqin me 15 ose 16 dikastere qeveritare. “LVV-ja e LDK-ja nuk do të arrijnë ta bëjnë ristrukturimin në 12 ministri dhe pa ligj. Prandaj nëse duan ta formojnë qeverinë duhet ta dorëzojnë emrin e mandatarit shpejt dhe të pajtohen për një qeveri me 15-16 ministri: LVV-ja të marrë 6 ministri, LDK-ja të marrë 7 ministri, serbët 2 ministri (përndryshe nuk e përkrahin qeverinë) dhe minoritetet tjera një ministri”, ka deklaruar ai.

Po ashtu ai thekson se Vetëvendosja duhet që sa më parë ta dorëzojë emrin e mandatarit për kryeministër te presidenti Thaçi, në mënyrë që t’i shmangë ngërçet politike të cilat e kanë përcjellë Kosovën në të kaluarën.

“Lëvizja Vetëvendosje duhet urgjentisht të dorëzojë emrin e kandidatit për kryeministër. Si fituese e zgjedhjeve nuk ka alternativë, nuk ka afat të caktuar mes konstituimit të Kuvendit dhe dhënies së mandatit për fituesin e zgjedhjeve. Kjo është procedurë e pakontestuar. Me vonesat e saj LVV-ja po bëhet njëjtë sikur partitë fituese të vitit 2014 dhe 2017”, ka përfunduar ai.