O’Connell rikonfirmon mbështetjen për Këshillin Prokurorial

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Në fillim të takimit, kryesuesi Isufaj ka njoftuar ambasadorin O’Connell me punët që janë duke u realizuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe sistemi prokurorial në përgjithësi, ndërsa ka falënderuar ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar po e jep për këtë sistem.

Kryesuesi Isufaj ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit me ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, sidomos në mbështetjen e kësaj të fundit në fuqizimin e kapaciteteve të Këshillit për administrim efektiv të sistemit prokurorial.

Në anën tjetër, ambasadori O’Connell shprehi gatishmërinë për vazhdim të mbështetjes për sistemin prokurorial të Kosovës, por edhe thellim të bashkëpunimit në fusha të caktuara të cilat do të ndikonin në ngritjen e efikasitetit të këtij sistemi.

Gjatë takimit, të dyja palët u pajtuan që sistemi prokurorial përbën një komponentë kyçe në vendosjen dhe ruajtjen e sundimit të ligjit dhe se duhet ende punë për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë.