Nuk dihet saktë se kur do të përfundojë procesi i rinumërimit

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), është duke vazhduar rinumërimi i 1407 vendvotimeve.

Edhe gjatë ditës së sotme është duke vazhduar rinumërimi i 1 mijë e 407 vendvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë për lajmi.net, se të hënën janë rinumëruar 132 vendvotime dhe se në përgjithësi deri më tani janë numëruar 706 vendvotime apo gjysma e 1 mijë e 407 sa janë gjithsej.

I pyetur se kur pritet të përfundojë ky proces, Elezi ka theksuar se nuk dihet saktë se kur përfundon i gjithë procesi i rinumërimit.

“Ne nuk mund ta themi me saktësi se kur përfundon procesi i rinumërimit të pjesës së mbetur të vendvotimeve, sepse kjo varet krejtësisht nga dinamika e punës në QNR, por edhe se sa ka qenë pjesëmarrja e votuesve në këto vendvotime. Nëse shohim dinamikën e rinumërimit gjatë këtyre 5-6 ditëve, e cila është rreth 130 vendvotime brenda dy ndërrimeve, atëherë besojmë se deri të hënën tjetër mund të përmbyllim ky rinumërim”, ka thënë Elezi për lajmi.net.

Kujtojmë se rinumërimi i këtyre vendvotimeve ka filluar më 13 nëntor, menjëherë pas vendimit të marrë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Duhet theksuar se më 6 tetor Kosova kishte mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe se kanë kaluar më shumë se një muaj dhe nuk janë certifikuar rezultatet e këtyre zgjedhjeve nga KQZ për shkak të ankesave të shumta dhe rinumërimeve që janë bërë më pas.