Njëzëri kërkojnë grup të unitetit (Video)

Po kërkojnë nga partitë politike që të jenë unike për të krijuar një delegacion të përbashkët për dialogun me Serbinë.

Për cështjet nacionale po thonë se të gjithë duhet të bashkohen.

E këto deklarata po vijnë nga Tirana . Atje ku kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi po takohen me krerët e shtetit dhe përfaqësuesit e opozitës.

Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë ishte tema kryesore e takimit të zhvilluar në mes të kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli dhe kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Gramos Ruçi.

Që të dy homologët bënë thirrje që të ketë unitet në mes pozitës e opozitës në Kosovë, për të mirë të dialogut.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, tha se Shqipëria ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë mbështetëse pa rezerva e dialogut Kosovë-Serbi.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli që është edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës deklarohet kundër ndryshimit të kufijve.

Ai thotë se Kosova nuk ka çfarë të jap e as nuk do merr tokë nga askush.

Këtë e tha pas takimit që kishte me kryetar e Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha.

Ndërsa kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka deklaruar sikur gjatë gjithë ditës, se duhet konsensus nacional.

Kreu i Kuvendit u takua edhe me ish kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha.

Berisha tha se dialogu dhe marrëveshja janë të një rëndësie të madhe jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin në tërësi.

Edhe Berisha, ka ftuar partitë politike në Kosovë që të jenë unike për të krijuar një delegacion të përbashkët për dialogun me Serbinë.

Për më shumë detaje ndiqeni kronikën në vazhdim: