Nis punën ambasadori O’Connell, konfirmon mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot ambasadorin e ri britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell. Veseli nëpërmjet rrjetin social Facebook, ka treguar se Ambasadori ka qenë prezent në Kosovë në momentet vendimtare në kohën e shpalljes së pavarësisë.
“Ai shprehu kënaqësinë për detyrën që ka marrë dhe përkushtimin për të ndihmuar avancimin e proceseve zhvillimore në Kosovë.Unë e njoftova Ambasadorin O’Connell me gjendjen aktuale në vend, sfidat, problemet dhe proceset në të cilat jemi duke punuar si shtet”, thuhet në postimin e të parit të Kuvendit.
Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi është takuar me ambasadorin O’Connell. Thaçi më anë të një postimi në facebook, ka shkruar se Mbretëria e Bashkuar vazhdimisht ka qenë mbështetëse e madhe Kosovës. Sipas tij, edhe ambasadori i ri e ka konfirmuar vazhdimësinë e kësaj mbështetje.
“Sot takova Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, të cilit i dëshirova mirëseardhje në shtetin tonë. Në takim u pajtuam se vitet e ardhshme janë vite të mundësive për Kosovën dhe se bashkëpunimi i Kosovës me miqtë e saj ndërkombëtarë mbetet thelbësor për shfrytëzimin e këtyre mundësive për të vazhduar të përmirësojmë jetën e qytetarëve të Kosovës. Mikut tim të vjetër, Ambasadorit O’Connell, i urova punë të mbarë dhe i shpreha kënaqësinë që do të bashkëpunojmë përsëri për të mirën e vendeve tona”, thuhet në postimin e Thaçit./Gazeta Tribuna/