Nga Serbia vijnë thirrje që serbët t’i bojkotojnë zgjedhjet në Kosovë

Partia politike ‘Dveri’ me seli në Beograd u ka bërë sot thirrje serbëve të Kosovës që të bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, pasi sipas tyre kjo është e vetmja formë për të treguar pozicionin e shtetit serb karshi Kosovës.

Sipas tyre zgjedhjet në Kosovë janë të njëjta sikurse në Serbi, të manipuluar dhe që kontrollohen.

‘Dveri’ porositë që të bojkotohen këto zgjedhje pasi ato mbahen sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shkruan Beta.

“Duke hyrë në këto zgjedhje, ne do të bëheshim bashkëpunëtorë të regjimit në Beograd, në kundërshtim të Kushtetutës dhe Ligjeve të Serbisë. Ne nuk kemi të drejtë ta bëjmë këtë”, citohet komunikata e ‘Dverit’.

Kjo lëvizje akuzon “Listën Serbe” se me pjesëmarrje në zgjedhjet e vitit 2013 ka tradhtuar interesat kombëtare të Serbisë.

Opozita në Serbi ka bërë gjithashtu thirrje për bojkot të zgjedhjeve në Serbi.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë pritet që të mbahen në fund të muajit shtator, apo në fillim të tetorit.

Rënia e institucioneve të Kosovës ka ardhur pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Qeverisë, pas ftesës që ka marrë nga Gjykata Speciale dhe pas problemeve që i kishin lindur me partnerin e koalicionit, PDK’në.