Nesër rinis dialogu, temë “e nxehtë” Asociacioni (VIDEO)

Të hënën në mëngjes në nivel ekspertësh do të rinisin bisedimet teknike mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat u ndërprenë pas vrasjes së liderit serb Oliver Ivanovic.

Bisedimet të cilat pritet të zgjasin dy ditë do të kenë si temë të diskutimit zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura mes palëve në Bruksel.

Tema më e nxehtë e këtyre bisedimeve pritet të jetë ajo rreth asociacionit të komunave serbe.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë për mediat beogradase se nuk do të lejojë në asnjë mënyrë ndryshimin e marrëveshjes rreth Asociacionit, marrëveshje e cila në shumë pika bie ndesh me kushtetutën, sipas një verdikti të dhënë më herët nga Gjykata në Kosovë.

Analisti Nexhmedin Spahiu në një prononcim për Tribuna Channel vlerëson se me Asociacionit Kosova rrezikon që të ndahet së brendshmi. Ai thekson se institucionet kosovare duhet të kenë shumë kujdes në këtë pikë.

Ajo çfarë rrezikon të ndodhë është që Kosova të ndahet për së brendshmi. Që roli i Asociaicionit të ketë një fuqi që të bllokojë funksionimin e shtetit të Kosovës. Kjo mund të ndodhë dhe varet sesa institucionet e Kosovës janë syçelë dhe nuk e lejojnë një gjë të tillë”

Nga ana tjetër, Jeta Krasniqi nga KDI thotë se nuk mund të ketë normalizim të raporteve, kur nga njëra anë ka sjellje armiqësore. Ajo thotë se BE duhet të luajë një rol më të madh garantues.

Ne kemi parë që nga fillimi i dialogut se kemi shumë marrëveshje të cilat nuk janë zbatuar dhe në mënyrë të vazhdueshme janë ridiskutuar dhe kjo ka qenë një nga ato problematikat që marrëveshjet e arritura nuk janë zbatuar. Normalizimi do të thotë që nëse Serbia kundërshton Kosovën BE-ja të reagojë, pasi nuk mund të kesh normalizim të marrëdhënieve kur ke edhe sjellje të cilat janë armiqësore, prandaj duhet që BE-ja të luajë një rol më të madh garantues”

Krasniqi shton se gjithashtu duhet të ketë një transparencë më të madhe në dialog, pasi sipas saj po zhvillohet një dialog më shumë mes elitave dhe jo një dialog i mirëfilltë brenda Kosovës, i cili më pas do të prezantohej në Bruksel.

Përveç asociacionit, tema të tjera që pritet të diskutohen janë edhe ato rreth zbatimit të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, tabelat e regjistrimit të automjeteve, menaxhimi i kalimeve kufitare dhe zbatimi i marrëveshjes për gjyqësorin.