Nëse Vetëvendosje e LDK nuk arrijnë marrëveshje, a mund të kemi një koalicion “LAN”?

Situata politike në Kosovë po vazhdon të jetë e komplikuar si pasojë e mos-arritjes së një marrëveshje nga Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për bashkëqeverisje.

Negociatat mes dy partive nuk ofruan marrëveshje, por Kuvendi i Kosovës u konstitua dhe Vetëvendosje me votat e LDK-së pa marrëveshje, zgjodhën kryetar, Glauk Konjufcën.

E kjo i ka komplikuar edhe më shumë punët e i ka shtuar telashet për arritjen e marrëveshjes midis dy partive, pasi pozita e kryeparlamentarit në fillim të diskutimeve i takonte LDK-së.

Sot, LVV ka dërguar ofertën tjetër në drejtim të LDK-së ku parashihet rritja e numërit të ministrive nga 12 në 14, ku një do t’i shkonte LDK-së dhe një tjetër minoritetit serb.

Një ofertë si kjo nuk duhet se e ka joshur shumë Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila ende nuk ka dhënë ndonjë qëndrim zyrtar rreth kësaj çështje.

Por, a ekziston mundësia që në rast të dështimit të Vetëvendosjes për formimin e qeverisë këtë ta bëjë Lidhja Demokratike e Kosovës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën të cilat nuk kanë deklaruar se do të jenë opozitë.

Në lidhje me këtë lajmi.net ka kontaktuar analistin Shkodran Ramadani i cili është shprehur se kjo do të kishte pasoja të paparashikueshme pasi do të thyhej vullneti i popullit.

Sipas Ramadanit, një opozitë Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës do të ishte tejet e fuqishme dhe qeveria LDK – AAK – NISMA nuk do të mund t’i përballonte.

“Kësi mundësie ekziston por nuk mendoj se është e favorshme për rrugëtimin e Kosovës sepse vullneti qytetar është për Vetëvendosjen në qeveri, bashkë me LDK dhe çdo koalicion tjetër mund të ketë pasoja të paparashikueshme edhe pse VV në opozitë mund të jetë edhe më agresive edhe më e vrazhdë dhe do të dukej deformim i asaj çfarë ka ndodhur me 6 tetor, por LDK – AAK – NISMA do të ishte qeveri jo shumë stabile sepse do të ishte opozita shumë e fuqishme PDK – VV por nuk besoj se është mundësi reale, pa e humbur komplet mandatin VV-ja ta formojë qeverinë”, tha Ramadani për lajmi.net.

Sipas tij, qëndrimi në opozitë i PDK-së dhe VV-së do t’i afronte këto dy parti mes vete, pasi sipas tij agjenda opozitare do t’i bënte të bashkëpunojnë.

Sipas Ramadanit, pas një kohe, koalicioni PDK – LVV mund të duket normal.

“PDK – VV do të ishte opozitë e përbashkët do t’i afronte dy rivalë të vjetër që deri tani i kanë definuar linjat e politikë-bërjes në Kosovë, mirëpo siç ka ndodhur mes LDK-së dhe VV-së, opozita mund t’i afrojë partitë politike, agjenda opozitare mund t’i bëjë të bashkëpunojnë edhe partitë që duken armiqësore, por ashtu siç na duket shumë normal tani koalicioni LVV – LDK, me kalimin e kohës mund të na duket normale edhe koalicioni PDK – LVV”, tha Ramadani për lajmi.net.

Ndërkohë, pritet që nesër Lidhja Demokratike e Kosovës t’i përgjigjet ofertës së fundit nga Lëvizja Vetëvendosje.