“Në pabesi të plotë” Meta shpërthen në akuza kundër Ramës

Presidenti Ilir Meta ka hedhur akuza të forta në adresë të qeverisë Rama përmes një statusi në rrjetin social, duke e quajtur qeverisjen një shtet PPP (Polici Parti Propagandë) që nuk respekton asnjë rregull, marrëveshje apo direktivë të Bashkimit Evropian.

Presidenti i është referuar votimit të javës së kaluar në parlament të ndryshimeve ligjore për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve, një ligj që shkon nën përpjekjet e qeverisë për implementimin e të famshmes ‘anti-KÇK’ kundër gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar.

Meta shkruan se në pabesi të plotë, qeveria kaloi një ligj tërësisht anti-kushtetues, pikërisht një ditë para mbërritjes së Komisionit të Venecias, i thirrur vetë nga ‘kuvendi një-partiak’ siç e cilëson Presidenti parlamentin.

Jo me pak ironi ndaj ambasadorit të BE-së në Tiranë, Meta thotë se as thirrjet ‘Ndiq paratë’ nuk funksionojnë më pasi të gjitha paratë e pronat “do përqëndrohen në një grusht të vetëm, falë grushtit të shtetit që finalizohet me shndërrimin e Gjykatës Kushtetuese në Polici kushtetuese të shtetit të PPP.“-thotë Presidenti.

STATUSI:

Në shtetin e PPP (Polici Parti Propagandë) nuk ekzistojnë as direktivat e BE, as Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, as Konventat Ndërkombëtare, se kriteret e Kopenhagenit nuk i kujton më njeri që kur u mbyll Ambasada daneze këtu.

Në shtetin e PPP (Polici Parti e Propagandë) ekziston vetëm grushti i shtetit dhe shpopullimi i vendit.

Me miratimin në pabesi të plotë të ligjit anti-kushtetues të KRYEKÇK-së një ditë para mbërritjes në Tiranë të Komisionit të Venecias, të thirrur nga vetë Kuvendi një-partiak, nuk kanë më vlerë as thirrjet “Ndiq paratë” se tashmë paratë, pronat, çdo pasuri dhe të drejtat e shqiptarëve do përqëndrohen në një grusht të vetëm, falë grushtit të shtetit që finalizohet me shndërrimin e Gjykatës Kushtetuese në Polici kushtetuese të shtetit të PPP.