Në Kosovë s’ka koronavirus/ institucionet të gatshme të përballen me rastet eventuale

Në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast pozitiv me koronavirusin e ri. Autoritetet përgjegjëse thonë se tashmë kanë marrë të gjitha masat e duhura, në rast të shfaqjes së këtij virusi në vend.

Megjithatë, në komunikatën e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike thuhet se në Kosovë aktualisht nuk ka koronavirus dhe se janë testuar gjithsej 23 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

IKSHP ka bërë të ditur gjithashtu se nga data 01.02.2020 deri me 27.02.2020 nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 535 udhëtarë. Nga Aeroporti “Adem Jashari” 172 udhëtarë, Vërmicë 240, Merdare 87 dhe Dheu i bardhë 14 udhëtarë.

IKSHP gjithashtu ka numëruar një listë të gjerë e të detajuar të mënyrave se di mund të mbrohen njerëzit për të mos u prekur nga koronavirusi.


Ndërsa në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Shëndetësi, të mbajtur të premten, anëtari i komisionit, deputeti Haxhi Avdyli, ngriti shqetësimin pasi, siç tha, në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër terciare e vetmja në Kosovë, janë vetëm gjashtë (6) shtretër me respirator, që shërbejnë për të prekurit me koronavirusi i ri.

Në anën tjetër, infektologu Valbon Krasniqi ka thënë sot për REL se janë përgatitur edhe reparte të veçanta në Klinikën Infektive në rast se paraqitet ndonjë rast.

Sipas Krasniqit, karantina nuk është ende e nevojshme, por në të kundërtën, Krasniqi është shprehur se si mundësi për këtë është Parku Inovativ në Prizren.

Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka theksuar se janë marrë masa të nevojshme për mbrojtje nga koronavirusi.

Ai gjithashtu shtoi se në të gjitha pikat kufitare dhe aeroport tashmë gjenden ekipet shëndetësore.

Ndërkaq Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike tha se deri më tani kanë qenë 23 raste të cilat janë trajtuar nën dyshimin për koronavirus, por që kanë rezultuar të jenë negativ.

Ministri Vitia ka shtuar se Ministria e Shëndetësisë menjëherë pas shpalljes nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për situatë epidemike pas përhapjes së koronavirusit, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme.

Vitia ka thënë se Ministra e Shëndetësisë ka siguruar menjëherë rreth 100 mijë doza të vaksinave.

“Janë siguruar rreth 100 mijë doza të vaksinave. Masat e ndërmarra deri tash janë koordinuar me zyrën e OBSH-së në Kosovë”, ka thënë Vitia.

Vitia ka shtuar se kontrollë nga ana e stafit mjekësor po kryhen edhe në Aeroportin e Prishtinës dhe në pikat kufitare.

“Prishtina fatmirësisht nuk ka linjë ajrore drejtpërdrejtë me Kinën dhe personat që vijnë nga Kina e që janë një numër modest, shfrytëzojnë aeroportin e Stambollit fillimisht ku edhe ju nënshtrohen kontrolleve, e pastaj arrijnë në Kosovë. Në Aeroportin e Prishtinës dhe pikat kufitare janë shpërndarë fletë udhëzime për qytetarët që hyjnë në ato pika në Kosovë, për tu informuar se si duhet raportuar për koronavirus nëse veç kanë ndonjë simptomë”, ka thënë Vitia.

“Një nga repartet e Klinikës Infektive është përgatitur për rastet që izolohen, e që ka 25 shtretër. Varësisht nga nevoja, repartet në SHSKUK edhe mund të zgjerohen”, tha ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka ndarë 400 mijë euro për tu përgatitur për koronavirusin. Ministri i Financave Besnik Bislimi, ka thënë se kjo është kërkesë e Ministrisë së Shëndetësisë. Këto mjete janë ndarë për furnizim të punonjësve shëndetësor me masa mbrojtëse.

Sidoqoftë në shumë vende të botës, vazhdojnë raportimet për raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri, ndërsa bota po përgatitet për një pandemi të sëmundjes.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se të gjitha kombet duhet të përgatiten.