Në hall me ndërtimtarët, Ahmeti takon Safet Gërxhaliun

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka takuar kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, me të cilin diskutuan për rrethanat e krijuara midis Komunës së Prishtinës dhe Shoqatës së Ndërtimtarëve.
Kryetari Ahmeti ka theksuar se plani qeverisës për urbanizmin ka për qëllim vendosjen e rendit dhe rregullit duke i ndaluar të gjitha ndërtimet pa leje.
Ai ka thënë se Komuna ka evidentuar 46 mijë ndërtime pa leje, dhe se është duke u punuar në thjeshtësimin e të gjitha procedurave që kanë të bëjnë me ndërtimet në Kryeqytet.
“Me Shoqatën e Ndërtimtarëve kemi pasur disa takime dhe janë plotësuar disa kërkesa të tyre, duke përfshirë edhe kërkesën kryesore që t’i pranojnë garancionet e kompanive të sigurimit, gjë që e kemi aprovuar brenda dy ditëve. Njëkohësisht, jemi dakorduar që të punojmë në konkretizimin e marrëveshjes për të plotësuar edhe kërkesat e tjera të tyre që kishin të bënin me heqjen e disa kushteve për leje. Lidhur me këtë, ne kemi krijuar një grup ku shoqata e ndërtimtarëve e kanë një përfaqësues të tyre që e ka zyrën në Drejtorinë e Urbanizmit. Bashkë me USAID-in jemi dakorduar që një grup punues t’i shqyrtojë edhe kërkesat e tjera”, tha Ahmeti.
Sipas Ahmetit, ndërtimtarët janë me rëndësi, mirëpo nuk do të thotë kjo se mund të plotësohet çdo kërkesë e secilit ndërtimtar, posaçërisht, nënvijëzoi Ahmeti, kur dihet se kërkesat e disa prej tyre kanë prapavijë politike.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se OEK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen dhe përkrahjen e interesave të komunitetit afarist. Mirëpo, sipas tij, vetëm komunikimi i ndërsjellë me institucionet përkatëse, është rruga e vetme që sjellë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
“Pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga Shoqata e ndërtimtarisë lidhur me procedurat e dhënies së lejeve për ndërtim, duhet shteruar të gjitha metodat institucionale në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë dhe të prodhohet një bashkëpunim i frytshëm që do të jetë në dobi të të dy palëve. Jam i bindur se me një përkushtim dhe vullnet të mirë, do të gjinden mundësitë që të gjejnë mirëkuptim disa prej kërkesave të ndërtimtarëve, veçanërisht në aspektin e përshpejtimit të procedurave të dhënies së lejeve ndërtimore. ‘ka deklaruar Gërxhaliu.
Të pranishëm në takim ishin edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Liburn Aliu si dhe përfaqësues të OEK.