Ndërpritet greva e minatorëve të “Trepçës”

Minatorët e kombinatit “Trepça” kanë ndërprerë grevën, e cila erdhi si kundërshtim ndaj pagave dhe kushteve të punës.

Kjo është bërë e ditur nga kryesuesi i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla, i cili ndër tjerash ka njoftuar se pagat për muajin tetor do të ekzekutohen shumë shpejtë.

Sipas tij, tremujori i fundit ka qenë shpresëdhënës duke treguar trend të rritjes së prodhimit prandaj Trepçës i është kthyer shpresa sado e vogël për një stabilitet financiar.

Postimi i plotë:

Rifillon puna në ndërmarrjen Trepça!

Pas negociatave nga të gjitha palët në ndërmarrjen Trepça; Bordi, Menaxhmenti, Sindikata si dhe punëtorët e ndërmarrjes Trepça, puna në minierën e Stantërgut pas një ndërprerje dy ditore ka rifilluar.

Kohëve të fundit, Trepça është duke u përballur me gjendje jo të mirë financiare. Në mungesë të prodhimit kemi pasur edhe jo likuiditet financiar, prandaj ka pasur edhe vonesa në ekzekutimin e pagave si dhe obligimeve tjera. Ndërmarrja Trepça është ndërmarrje prodhuese, prandaj edhe gjithë funksionimi i saj varet nga nxjerrja, përpunimi dhe prodhimi i koncentratit.

Pagat për muajin tetor si dhe pjesa e mbetur e dy muajve paraprak do të ekzekutohen shumë shpejtë, pas liferimit të sasisë së grumbulluar së koncentratit të plumbit dhe zinkut.

Rregullimi i cilësisë së ushqimit si dhe kushtet tjera të punës për punëtorët në minierë janë në përfundim e sipër.

Tremujori i fundit ka qenë shpresëdhënës duke treguar trend të rritjes së prodhimit prandaj Trepçës i është kthyer shpresa sado e vogël për një stabilitet financiar. Prandaj, çdo grevë eventuale vetëm se do të pengonte zhvillimin e mëtutjeshëm të ndërmarrjes.

Falenderojmë gjithë punëtorë e Trepçës për mirëkuptimin e tyre si dhe kontributin e dhënë ndër vite në zhvillimin e ndërmarrjes Trepça. Me Fat!