Mustafa pas takimit me Kurtin: Vendit i duhet një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se në takim me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kanë diskutuar për zgjedhjet.

Mustafa në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se vendit i duhet një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve, veçanërisht rinisë.

“Në takim me z. Albin Kurti sot, biseduam për gjendjen në Kosovë, sidomos pas dorëheqjes së Kryeministrit të vendit. U pajtuam se jo vetëm që vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje por duhet të rezultojë një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve, veçanërisht rinisë sonë. Kjo qeveri e re e Kosovës duhet të sillet me përgjegjësi dhe kompetencë në zhvillimin ekonomik, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, në menaxhimin e arsimit dhe shëndetësisë, në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit si dhe në hapjen e rrugës së integrimeve evropiane”, ka shkruar Mustafa.