Mustafa e vlerëson lartë procesin zgjedhor në LDK

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëherit kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka vlerësuar lartë procesin e brendshëm zgjedhor në këtë parti. Ai ka thënë se zgjedhjet në LDK janë të dobishme jo vetëm për këtë parti, por edhe për Kosovën.
Mustafa në një postim në Facebook ka shkruar se nuk ka fitues dhe humbës në këtë proces, sipas tij, ka shprehje të vullnetit të anëtarësisë.

“Andaj ky vullnet po pranohet në mënyrë demokratike edhe nga ata që po marrin votat e shumicës edhe nga ata që po marrin votat e pakicës. Kjo është shprehje e unitetit. Shprehje e unitetit është edhe koncesusi partiak, sepse ai nuk arrihet me porosi. Nëse një forum i LDK-së vendosë me pajtim të plotë pa asnjë votë kundër dhe pa abstenime, atëherë ajo është shprehje maksimale e mendimit të përbashkët për një vendim”, ka shkruar ndër të tjera Mustafa në Facebook.
Sipas tij, njerëzit qe kanë punua gjatë dhe kanë dhënë kontribut në LDK kapërcejnë vlerësimet vetëm nga një forum i LDK-së. Sipas Mustafës, meritat e tyre do të vlerësohen edhe në forumet më të larta të LDK-së.
“LDK në katër vitet e fundit arriti me sukses të reflektoj orientimin e saj demokratik, të fitojë shumë komuna, të koncentrohet në çështjet jetike të qytetarëve, të bëhet anëtare e Partive Popullore Evropiane dhe ta merr përgjegjësinë për drejtimin e Qeverisë. Kjo është vlera e LDK-së”, thuhet në postimin e Mustafës./Gazeta Tribuna