Muja komenton porosinë e sotme të Osmanit: Tentoi të tregojë se LDK nuk e mbështeti në garë

Kandidatja për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme tha se është pro koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, sipas saj si zgjidhja më adekuate në këto zgjedhje.

 

Lidhur me porositë që pati Vjosa Osmani në publikimin e sotëm, analisti Armend Muja tha se në statusin e saj Osmani tentoi të tregojë se është që moti në LDK dhe se kjo parti nuk e mbështeti në garë.

 

 

Tutje ajo sipas Mujës deshi të konfirmojë se ishte pjesë e rrugëtimit politik në këtë parti dhe se pati pengesa të shumta, duke iu referu kështu partisë.

Sipas Mujës gjithashtu Vjosa Osmani pati të drejtë kur tha se arritën të ringrisin LDK-në, pasi në këto zgjedhje pati 50 mijë vota më tepër se në zgjedhjet e kaluara qendrore.

“Po kërkon unitet si sinjal që ka zëra të ndryshëm brenda partisë dhe kërkon ndryshim dhe ky mesazh përfundon se është i prirur me shku në koalicion me Kurtin pa insistuar në rolin e kryeministrit. Shumë parimore, ka pas diskutim për koalicion parazgjedhor, por edhe rregullat e lojës kanë qenë të tilla se kush ka më shumë vota e ka rolin e kryeministrit dhe në këtë rast i takon VV-së. Ideja për me shku një herë në zgjedhje sigurisht se prapa VV do të kishte më shumë vota dhe çdo veprim për të tentu me ia marr fitoren VV-së, veçse i kishte ofru më shumë përkrahje Kurtit dhe partisë”, tha Muja.

Muja theksoi se Vjosa dhe Kurti përfaqësojnë një ndryshim esencial rrënjësorë dhe se mesazhi i votuesit ka qenë se po don një lloj tjetër të qeverisë dhe një qeverisje tjetër.

“Mbështetja për Vjosën do dërgojë porosi tek partitë tjera, për një politik bërje tjetër. Që nga kjo javë ka fillu debati në PDK e LDK, pasi në LDK ka dy rryma tradicionale dhe kjo e reja”, shtoi ai.