Mitrovica jep në shfrytëzim Qendrën Tregtare, pritet të punësohen 540 veta

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i operatorit ekonomik Konzerciumit ”URBAN”, Blerant Lila, të enjten  kanë nënshkruar kontratën për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës në shfrytëzim- afatshkurtër.

Me këtë kontratë parashihet që komuna e Mitrovicës, të jep me qëra për një periudhë prej 15 vjetësh Qendren Tregtare e cila është ndërtuar në kuadër të projektit të Qendrës Multifunksionale “ OMNI SPORT”.

Me këtë rast i pari i ekzekutivit në Mitrovicë Agim Bahtiri, tha se me këtë akt po bëhet zgjidhje më e mirë për funksionalizimin e pronës së paluajtshme të Komunës së Mitrovicës gjegjësisht Qendrës tregtare, thuhet në komunikatën e komunës së Mitrovicës.

“Përmes nënshkrimit të kësaj kontrate presim që këtë ndërtesë të bukur dhe shumë funksionale operatori ekonomik Konzerciumi “URBAN” ta funksionalizojë sa më parë në mënyrë që kjo të bëhet një qendër moderne afariste, atraktive për të gjithë qytetarët e komunës së Mitrovicës, duke përfshirë edhe atë veriore”.

Ai shtoi se në këtë qendër priten të punësohen rreth 540 qytetarë dhe gjithë qytetarët do të kenë mundësi të shohin brendet më të mëdha evropiane.