Ministri Tahiri priti në takim përfaqësuesen e UNDP-së, Maria Suokko

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, priti sot në takim njoftues Përfaqësuesen e Përhershme e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko të cilën e uroj për pozitën e re dhe e njoftoi mbi zhvillimet dhe rezultatet në fushën e sundimit të ligjit.

Sipas një njoftimit për media, Tahiri e falënderoi UNDP-në për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në sektorin e drejtësisë veçanërisht në fushën e kundër korrupsionit ku si rezultat i bashkëpunimit të ndërsjellë janë arritur rezultate në fushën e legjislacionit dhe politikave.

Siç thuhet në njoftim, Tahiri shprehu përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit me UNDP-në në proceset aktuale si dhe projektet në të ardhmen që do të dalin nga Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit.

Në anën tjetër, Suokko përgëzoi Ministrin Tahiri për rezultatet e arritura në sektorin e drejtësisë si dhe shprehu gatishmërinë për të ofruar mbështetje në zbatimin e legjislacionit dhe forcimin e kapaciteteve.