Ministri që nuk punon asgjë, por ndan fonde për familjarët e tij

Ministria e Zhvillimit Rajonal, quhet njëra nga 21 ministritë që ka Qeveria e Kosovës. Për këtë ministri që drejtohet nga Rasim Demiri, pak është dëgjuar në opinion lidhur me aktivitetet e saj, pasi që realisht edhe nuk ka bërë ndonjë punë, shkruan Gazeta Tribuna.

14 qershori është data kur ministri i këtij dikasteri, Rasim Demiri, është parë që ka dalë jashtë zyrës së tij për ndonjë aktivitet.

Ai në këtë datë, ka vizituar fshatin Jabllanicë të Prizrenit, ku nga afër ka parë punimet e për ndërtimin e terrenit sportiv në këtë fshat.

E gjatë ditës së sotme, ministri Demiri ka raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku u përball goxha rëndë me anëtarët e këtij Komisioni.

Ishte deputetja Emilija Rexhepi, e cila e akuzoi ministrin Demiri për nepotizëm, ku sipas saj, ky ministër ka marrë fonde për familjarët duke përfshirë gruan dhe vajzën e tij.

Sipas Rexhepit, krejt këto keqpërdorime janë edhe të dokumentuara në Raportin e Auditorit të përgatitur për këtë dikaster.

“Lidhur me financimin dhe subvencionet e OJQ-ve janë ndarë para për persona të caktuar individual, si vajzave të tyre. Kemi nepotizëm shumë të madh tek ju në Ministri dhe dëshiroj që t’i keni në kontroll për këto mjete financiare të shpërndara, p.sh, në Prizren që është kryetar i partisë tuaj që ka marrë mjete në emër të OJQ-së, vajza e tij Alina që ka marrë më shumë se 20 mijë euro dhe kërkoj sqarime për të gjitha këto. Pastaj kemi projektet e lotit të parë nga 1 deri 5 mijë euro dhe në lotin 2, ku Seat Shabani që është pjesë e elektoratit tuaj, bashkëshortja e tij ka marrë mjete financiare të mëdha”, tha Rexhepi.

Ministri  Rasim Demiri theksoi se sa i përket raportit të auditimit  dhe vërejtjeve janë çështje teknike ose edhe për shkak të mungesës së stafit në Ministri. Ndarja e granteve siç tha ai është  bërë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë. Po ashtu Demiri tha se buxheti është shpërndarë në të gjitha komunat ashtu siç kanë qenë edhe kërkesat.

“Ajo çfarë ka bërë ZKA në Ministrinë tonë, është një raport më i miri deri më tani jo që kemi disa vërejtje shumë serioze, por disa çështje teknike të cilat janë në mangësi në ministrinë tonë, duke marrë parasysh që ne si ministri e re që është themeluar 2017, andaj kemi disa mungesa për shkak të organogramit dhe për mungesë të fuqisë punëtorë. Atë që dëgjova sot dhe pyetjet e bëra nga deputetja Emilia Rexhepi, në mënyrë absolute nuk kam kurrë farë lidhje me atë, sepse aty nuk flitet për emra, për mbiemra, nuk flitet për nepotizëm. Pra, nuk kemi asnjë vërejtje të tillë. Ekziston komisioni i cili ka vlerësuar secilin projekt se a janë anëtarë bordi, ashtu siç ju e keni thënë”, theksoi Demiri.

Deputeti Avdullah Hoti fillimisht duke theksuar që kjo Ministri ka qenë e panevojshme dhe se duhet me pasur llogaridhënie për shpenzimin e miliona eurove buxhet.

Edhe Hoti shprehu brengën e tij për ndarjen e granteve dhe mos protokollimin e faturave.

Ndërsa Fatos Qerimi, Sekretar i MZhR-së, tha se Ministria e Zhvillimit Rajonal, sekretari i kësaj Ministrie i është përgjigjur Hotit duke thënë se mos protokollimi i faturave, posedojnë një libër të protokollit, mirëpo që nuk kanë qenë të vulosura duke premtuar se kjo e gjetur nuk do të përsëriten.

Zyrtarët e Auditorit pohuan se kjo Ministri ka poseduar një fletore për faturat, por që nuk kanë qenë me numër rendor.

Kryetari i këtij Komisioni Driton Selmanaj ka kërkuar nga ministri Demiri që ta sjellë një raport të detajuar për shpenzimet e kësaj Ministrie, ngaqë nuk janë përgjigjur pas dy kërkesave që janë bërë nga Komisioni./Gazeta Tribuna.