Milionat përplasin sërish Qunin e Halitin (VIDEO)

Akuza dhe kundër akuza mes deputetëve Anton Quni dhe Xhavit Haliti, filluan javë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni ka akuzuar deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti, kinse ky i fundit i ka marrë shuma të mëdha të parave nga ish Ministria e Mbrojtjes së udhëhequr nga Ahmet Krasniqi. E që bëhet fjalë për 8 milion marka, raporton Tribuna Channel.

Edhe në seancën e së enjtes, u rikthyen të njëjtat akuza. Kësaj radhe me fakte.

“Në dokumentet ku palët dëshmojnë pranim dorëzimin e mjeteve qëndrojnë preambula e Qeverisë së Kosovës apo e Ministrisë së mbrojtjes dhe numrat përkatës apo numrat përkatës. Në dëshmitë e mia nuk ishin në fokus shuma apo totali i të hyrave tek Shtabi i Përgjithshëm, komandantë apo njësitë e tjera. Por, reagimi agresiv i Xhavit Halitit, fare i paarsyeshëm tani më bëjnë të dyshoj se në pyetje janë shuma shumë me të mëdha, dhe të bëjë pyetje a u përdorën ato para për qëllimin e destinuar”.

Të menjëhershme ishin reagimet e nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti. Ky i fundit  shpjegoi takimet me Ahmet Krasniqin dhe për fondet e dhëna nga Ministria e Mbrojtjes tek UÇK-ja.

“E vërteta është që mua me është ofruar, Ahmet Krasniqi nuk e kam ditur kush është, përmes Shaban Mujës, Bardhyl Mahmutit dhe Bilall Sherifit në një takim në shtëpinë e Bilall Sherifit. Në takim ka qenë edhe Ilmi Nebiu, Ahmet Krasniqi s’ka qenë Ministër i Mbrojtjes. Oficerët që ju po i quani oficer të Ministrisë së Mbrojtjes i kanë pasur tri Ministri të Mbrojtjes. Ahmeti ka qenë vullnet mirë, ka premtuar se të gjitha mjetet që disponon Qeveria e Kosovës në mërgim do t’ia deponoj UÇK-së për ta udhëhequr  luftën, ky ka qenë premtim me shkrim…Për juve nuk e kam ditur as kush je dhe e di problemet që kanë qenë, akuza kundër akuza, pas lufte kam marrë vesh kush ke qenë, kush je”, tha Haliti.

Haliti sqaroi edhe për paratë të cilat Quni po e akuzon se ai i ka marrë nga Ahmet Krasniqi.

“Paratë që po thuani, po i referoheni një diskutimi në Vjenë të bërë nga ish kryeministri yt, ne do të organizohemi në atë mënyrë sepse komandantë të UÇK-së dhe këta do të fillojnë vrasjen e njëri tjetrit dhe disa do t’i fusim në burg dhe do ta marrim ne pushtetin”, theksoi Haliti.

Seanca e sotme, kishte 10 pika të rendit të ditës./GazetaTribuna