Migrimi, aksidentet e qentë endacakë – subjekte të rrezikut të sigurisë së kosovarëve

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar Edicionin Special të Barometrit Kosovar të Sigurisë: Sfidat e Sigurisë Publike në Kosovë.

“Siguria është një e drejtë themelore e njeriut. Ndjesia e sigurisë apo e pasigurisë ndikon fuqishëm në shëndetin fizik dhe mendor dhe mirëqenien e njerëzve dhe mund të shpie në rritjen e besimit/mosbesimit, që ndikon në socializimin e qytetarëve dhe ndjenjën e komunitetit. Si rrjedhojë, QKSS-ja u ka kushtuar vëmendje të veçantë perceptimeve të qytetarëve në lidhje me sigurinë publike dhe sigurinë personale, që nga viti 2012 kur u lansua për herë të parë Barometri Kosovar i Sigurisë”, thuhet në këtë raport.

Ky edicion i posaçëm i Barometrit Kosovarë të Sigurisë (BKS) përbëhet nga katër kapituj. Raporti fillon me shpalosjen e përceptimeve të qytetarëve rreth shqetsimeve të sigurisë kombëtare. Kapitulli i dytë shpalos perceptimet e qytetarëve rreth sigurisë publike. Rrjedhimisht, kapitulli i tretë bën një lidhje në mes të përceptimeve të qytetarëve lidhur me shqetësimet dhe problemet e sigurisë publike dhe realitetit, duke analizuar arsyet që mund të kenë ndikuar në këto përceptime. Ndërsa, kapitulli i fundit ofron një varg rekomandimesh, masash që duhen ndërmarrë për të përmirësuar sigurinë publike në Kosovë.

QKSS thotë se elemente të ndryshme ndikojnë në perceptimet e qytetarëve në lidhje me sigurinë publike. Padyshim që qëndrimet e tilla formësohen nga përvoja personale. Megjithatë, nuk mund të injorohet rëndësia e mediave dhe rrjeteve sociale në formësimin e opinioneve të qytetarëve. Perceptimet mund të lidhen me karakteristikat personale të tilla si gjinia, përkatësia etnike, zona dhe rajoni ku të anketuarit jetojnë. Prandaj, përtej analizave të përgjithshme të të dhënave, ky edicion përfshin edhe analiza të kryqëzuara të kërcënimeve të ndryshme të sigurisë nacionale dhe publike me karakteristika personale të të anketuarëve.

Migrimi i qytetarëve jashtë vendit (71 për qind), aksidentet e trafikut (60 për qind) dhe qentë endacak (58 për qind) radhiten si rreziqet më të larta të sigurisë publike sipas perceptimeve nga të anketuarit;

Të anketuarit në zonat urbane shprehën shqetësim më të madh rreth aksidenteve të trafikut se ata në zonat rurale. Shqetësim më i madh vërehet tek të anketuarit në rajonin e Pejës dhe Ferizajt;

Shqetësim më i madh për rrezikimin e sigurisë publike nga qentë endacak është vërejtur tek të anketuarit në zonat urbane (63 për qind) krahasuar me ata në zona rurale (50 për qind);

Gati gjysma e të anketuarve , 47 për qind, e shohin posedimin e armëve pa leje si një rrezik të lartë të sigurisë publike. Të anketuarit në zonat urbane janë shprehur më të shqetësuar për këtë dukuri, ku përderisa në zonat urbane 51 për qind e të anketuarëve e shohin armëmbajtjen pa leje si shqetësim për sigurinë publike, në zonat rurale kjo përqindje bie në 42 për qind;

Në vitin 2019 ka pasur një rritje të përceptimit të vrasjeve si rrezik i lartë i sigurisë publike në Kosovë (rreth 40 për qind), krahasuar me vitin 2018 (35.6 për qind). Të anketuarit në zonat urbane ndihen më të kërcënuar nga vrasjet se sa të anketuarit që jetojnë në zonat rurale;

Barometri regjistroi rritje të përceptimit të plaçkitjes së shtëpive dhe banesave si shqetësim të sigurisë publike;

Dhuna në familje renditet si dukuria që më së paku shihet si rrezik nga qytetarët (34 për qind) duke mbetur mbrapa dhunës në shkolla me 35 për qind dhe ngacmimeve seksuale me 37 për qind. Të anketuarit në zona urbane janë shumë më të shqetësuar (40 për qind) rreth dhunës në familje se sa të anketuarit në zonat rurale (27 për qind).

Perimetri i Sigurisë:

Përqindja e të anketuarve që raportuan se ndihen të sigurt në qytetet/fshatrat e tyre po rritet gradualisht. Derisa në vitin 2018, rreth 79 për qind e të anketuarve u shprehën se se ndiheshin të sigurt në qytetin e tyre, në vitin 2019, kjo shifër u rrit në 84 përqind.

BKS 2019 ka gjetur se të anketuarit kosovarë ndihen më të sigurt në shtëpitë/banesat e tyre dhe lagjet e tyre (88 për qind), krahasuar me qytetin (83 për qind) dhe Kosovën (61 për qind).

Në vitin 2019 ka pasur një rritje prej tre perqind tek të anketuarit që janë shprehur se ndihen të sigurt në shtëpitë e tyre, duke shënuar kështu një trend pozitiv sa i përket sigurisë në shtëpi. Po ashtu, vërehet se ka rritje tek të anketuarit që u shprehen se ndihen më të sigurt në lagjen e tyre, duke pasur kështu një përqindje të njëjtë të ndjenjës së sigurisë në shtëpi dhe lagje (88 për qind).

Barometri në 2019, ka regjistruar një rritje të lartë tek të anketuarit që janë shprehur se ndjehen të sigurt në Kosovë. Ndonëse në vitin 2018 rreth 52 përqind e të anketuarve thanë se ndihen të sigurt në Kosovë, në vitin 2019, rreth 61 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se ndjehen të sigurt në Kosovë.