Meta: I vetmi ilaç që shëron vendin kriza është vetëm respektimi i votës së lirë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur sot delegacionin e Komitetit Hebreo-Amerikan me qendër në Nju-Jork.

Presidenca njofton se Meta e njohu delegacionin me situatën aktuale në Shqipëri, krizën e rëndë kushtetuese dhe institucionale që ka përfshirë vendin, si dhe me propozimin e tij për zgjidhjen e saj nëpërmjet zhvillimit të tri palë zgjedhjeve më 13 tetor 2019: zgjedhjeve vendore, parlamentare dhe të Presidentit nga populli.

“I vetmi ilaç që shëron vendin nga kjo krizë e thellë përfaqësimi dhe legjitimiteti është vetëm respektimi i votës së lirë dhe direkte të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe pranimi i verdiktit të tyre final nga të gjithe ne,”-tha Meta gjatë takimit.

Gjithashtu Presidenti Meta e siguroi delegacionin se miqësia mes shqiptarëve dhe komunitetit hebreo-amerikan do të vazhdojë të forcohet, dhe se bashkëpunimi ekonomik duhet të intesifikohet më tej.

Ndërsa kreu i delegacionit David Harris, tha miqësia tradicionale e Shqipërisë dhe e kombit hebre është e skalitur në kujtesën e tyre kombëtare.

“Miqësia tradicionale e Shqipërisë dhe e kombit hebre është e skalitur në kujtesën tonë kombëtare jo vetëm për rolin fisnik të shqiptarëve në shpëtimin, mbrojtjen dhe strehimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, por dhe për historitë tona të ngjashme si dy popuj që kanë vuajtur përgjatë shekujve të ekzistencës së tyre. Ne vijmë këtu me ndjenjën e mirënjohjes së përhershme për popullin shqiptar, dhe do të jemi përjetësisht së bashku për të përballuar sfidat edhe në të ardhmen. Jemi gjithashtu të gatshëm të ofrojmë mbështjen tonë për të rritur rolin e diasporës shqiptare në SHBA, me qëllim që të ndikojmë për çështjen shqiptare në politikën dhe administratën amerikane, ”-u shpreh Harris, sipas njoftimit të Presidencës.