‘Më dridhet trupi, pasi mora pjesë në prerjen e kokave të dy kosovarëve’

Prokuroria e Milanos ka bërë publike përgjimet e bisedave në “Skype” mes familjes së të riut nga Lushnja, Aldo Kobuzit, dhe familjes së bashkëshortes së tij italiane. Nëna e tij mori pjesë në ekzekutimin e dy kosovarëve.

Fakte tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me grupin terrorist, të arrestuar në Itali e Shqipëri dy ditë më parë, në operacionin e quajtur “Martesa”, ku në pranga ranë dy familje, njëra shqiptare dhe tjetra italiane, të cilat kishin lidhur krushqi mes tyre. Mediet italiane kanë zbardhur disa biseda të bërë në “Skype”, të përgjuara nga shërbimet sekrete, falë të cilave është zbuluar aktiviteti i celulës terroriste italo-shqiptare. Të gjitha këto përgjime, së bashku me aktivitetin e çdonjërit prej anëtarëve të celulës, janë pjesë e dosjes prej 42 faqe, përgatitur nga hetuesi i prokurorisë së Milanos, Ambroxhio Moçia.

Në dosje shkruhet se shqiptari Aldo Kobuzi, i vetëquajtur Said, është përgatitur si luftëtar i Shtetit Islamik në një kamp ushtarak në Irak, më pas është transferuar në Siri, ku ka marrë pjesë në disa aksione të dhunshme me rolin e një muxhahedini. Sipas medieve italiane, arsyeja e martesës mes Aldo Kobuzit e Maria Giulia Sergio ka qenë pikërisht mundësia për të lejuar italianen e konvertuar në islam, për të hyrë në territorin e Shtetit Islamik