Madeleine Albright ka arritur në Kosovë

Ish sekretarja amerikane e Shtetit, Medeleine Albright, ka arritur në Prishtinë për të marrë pjesë në shënimin e 20 vjetorit të përfundimit të sulmeve ajrore të NATO-s dhe hyrjes së trupave tokësore, që mundësuan përfundimin e luftës në Kosovë.

Albright, sikurse ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, do të marrin pjesë në aktivitetet shtetërore të organizuara për të shënuar këtë përvjetor.

Lajmin për arritjen e ish-sekretares Albright e ka bërë të ditur ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një postimi në Facebook.

Ajo ka theksuar se “vendosmëria dhe përkushtimi i Sekretarës Albright për ta ndalur gjenocidin në Kosovë, dhe për t’ia kthyer lirinë dhe shpresën një populli të shtypur ishin kruciale për të ardhmën e popullit tonë”.

Clinton dhe Albright do të mbajnë fjalime në ceremoninë qëndrore që do të mbahet në qendër të Prishtinës. Më pas, ata do të marrin pjesë në zbulimin e shtatores së ish-sekretares Albright në Prishtinë.