Lurfi Haziri: Pse të bëjmë ne kompromise, partia e parë duhet të jetë më gjeneroze

Lutfi Haziri i LDK-së ka deklaruar se janë duke u marrë vesh për arritjen e koalicionit me VV-në, duke e pranuar edhe se çështja e zgjedhjes së presidentit është zotim që duhet të bëhet mes partnerëve të koalicionit.

“Nuk po paragjykojmë për postin e presidentit. Ne s’po themi që lideri i Vetëvendosjes ka me qenë president. Asnjëherë s’kemi fol për një emër të presidentit. Isa Mustafa ka thënë se është nder ta përfundojë karrierën politike si kryeministër ose president, veçanërisht si president”.

“VV do të binden se s’ka qeverisje stabile nëse nuk qartësohen të gjitha çështjet që kanë interes për këtë vend”.

“Pse ne duhet të bëjmë kompromise? Partia e parë duhet të jetë më gjeneroze. I madhi duhet të bëjë kompromise”.

“Ne jemi afër përmbylljes së marrëveshjes. Parimet e ndarjes së përgjegjësive kanë përfunduar, tash veç ndarja e përgjegjësive në institucione dhe emrat e ministrave të rinj, kështu që është hapi i fundit që do të definojë gjithçka. Jemi në formulë por është çështje ditësh besoj”.

Ndërkaq, sa i përket organizimit të zgjedhjeve të reja në rast të mos arritjes së bërjes së koalicionit, Haziri u shpreh se “nëse keni krijuar pritje të mëdha tek qytetarët, atëherë kjo mund të kthehet në një zhgënjim të madh”.

“LDK nuk merret me kontrabandë politike. Nuk jemi plastelinë qe thyhemi dhe riformatohemi. LDK i ka dhënë mbështetje këtij koalicioni politikisht me gjithë mbështetjen e saj, përndryshe nuk pranojmë të bëhemi solucion i formulave të ndryshme”.

“Nuk ka kushtëzim për postin e presidentit, por është zotim që duhet të merret”.

“Mënyra se si do të arrihet marrëveshja ka me pas rëndësi shumë. Tek qeveria janë dakord që Kurti të jetë kandidat për kryeministër, për Kuvend janë dakord që dikush nga palët VV-LDK, pra terminologjia është e qartë. Për presidentin thuhet zotim që palët të pajtohen për këtë post”, ka deklaruar Haziri.