Lista Serbe në Berlin, sot takohet me Richard Grenellin

Emisari i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka ftuar në takim për sot në Berlin, krerët e Listës Serbe.

Takimi do të mbahet në Ambasadën amerikane në kryeqytetin gjerman aty ku Grenell është ambasador.

Pos me Grenell ishin paralajmëruar edhe takime të delegacioni të LS-së në Berlin me zyrtarë të lartë të Qeverisë së kancelares Angela Merkel.

Tema kyçe të bisedimeve do të jenë mundësia që Lista Serbe të jetë pjesë e Qeverisë në ardhje të Kosovës si dhe mundësitë e rinisjes së dialogut kosovaro-serb që është ndalur tash e një vit.

Siç raportojnë mediet serbe, delegacioni i Listës Serbe përbëhet nga kryetari Goran Rakiq, nënkryetari Dalibor Jevtiq dhe anëtari i Listës Serbe, Bratisllav Nikoliq.

Përveç takimit me Grenell, përfaqësuesit e Listës Serbe, do të takohen së pari me disa deputetë të Bundestagut gjerman, me përfaqësues të Zyrës së Kancelares gjermane, Angela Merkel si dhe me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Sipas Listës Serbe në të gjitha këto takime do të diskutohet për situatën aktuale politike në Kosovë si dhe pozicionin e serbëve në Kosovë.

“Temat e takimeve me zyrtarët gjermanë do të jenë rrethanat aktuale politike dhe situata pas zgjedhjeve, si dhe pozicioni i popullit serb në Kosovë”, ka deklaruar Jevtiq.

Jevtiq po ashtu ka bërë të ditur se të enjten personalisht ai do të takohet me të dërguarin e posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell.