Limaj në Has: NISMA-AKR është boshti ynë politik i fitores

Kreu i NISMA Socialdemokrate, njëherësh kandidati për kryeministër, Fatmir Limaj, sot ka takuar strukturat drejtuese dhe mbështetësit e Nismës ne rajonin e Hasit.

Në këtë takim, ku të pranishëm ishin edhe deputetë e anëtarë të kryesisë së Nismës, Limaj, tha se “sot jemi në një rajon që gjithnjë ka qenë vatër e intelektualizmit, e kontributit për atdhe, rajon që i ka dhënë shumë Kosovës. Rrënjët tona kombëtare, emancipuese dhe tradicionale janë në Has dhe këtë nuk po e them unë, por e thotë historia”.

Lidhur me zgjedhjet e ardhshme, Limaj, tha se këto nuk janë zgjedhje te radhës, por janë zgjedhje vendimtare për të ardhmen e vendit.

“Parlamenti i ardhshëm do të vendos marrëveshjen me Serbinë, andaj është shumë me rëndësi se kë do të votoni në këto zgjedhje vendimtare për të ardhmen e vendit”, u shpreh ai.

Limaj kërkoi nga mbështetësit e Nismës, që të punojmë dhe bashkëbisedojmë me njerëz, të orientojnë qytetarët për të mbështetur më të mirët, në mënyrë që në Parlament siç u shpreh ai “të dërgojmë ata që i duhen Kosovës. Kemi nevojë që në parlament të kemi bashkëpunëtorë që janë të gatshëm të bëjnë më të mirën për Kosovën”.

Ai para qytetarëve hasianë foli edhe për koalicionin NISMA-AKR, të cilin e quajti koalicion i shpresës, i arsyes dhe koalicion fitues.

“Me fitoren e këtij koalicioni, Limaj tha se ne do ti jetësojmë edhe temat e hapura dhe të rëndësishme për qytetarët e vendit, siç janë Liberalizimi i vizave, dialogu me Serbinë dhe zhvillimi ekonomik”, tha Limaj.

Limaj përmendi edhe kontributin e diasporës dhe angazhimet që duhet ti merr qeveria e ardhshme, e drejtuar nga ai, lidhur me të rinjtë tanë që po shkollohen në perëndim, në mënyrë këta të rinj, përgatitjen dhe eksperiencën e tyre t’i vejmë në shërbim të Kosovës.

“Duke punuar pa u ndalur sot jemi këtu, jemi një Nismë e fortë dhe një alternativë shprese, jemi një bosht politik për te bashkuar votën politike për te mirën e shtetit te Kosovës. Rruga jonë është e unitetit, bashkimit, ideve dhe me këtë rrugë duhet të vazhdojmë deri në fitoren e madhe në zgjedhjet vendimtare që po na presin”, u shpreh ai.

Në këtë tubim me nga një fjalë rasti, qytetarëve të Hasit ju drejtuan edhe kryetarët e degëve të Nismës në Prizren dhe Gjakovë, Zafir Berisha dhe Fazli Hoxha, të cilët kërkuan nga banorët e Hasit që të angazhohen maksimalisht në përkrahje të Nismës.