Limaj e pranon – motrën e ka të punësuar në RTK, vëllaun në PTK

Lideri i Nisma-s për Kosovën, Fatmir Limaj në emisionin “Jeta në Kosovë” ka treguar se në Radio Televizionin e Kosovës e ka të punësuar motrën e cila ushtron punën e parkierës – grimerës.
Limaj ka thënë se nëse paraqet problem punësimi i motrës së tij në RTK atëherë le ta largojnë edhe atë nga puna.

Ai më pas ka theksuar se deklaratën e zv-kryeministrit Hashim Thaçi se edhe nga opozita ka njerëz që kanë familjarë të punësuar në RTK, e ka parë si kërcënim ndaj qytetarëve për të zhvendosur vëmendjen nga kapja e shteti.

“RTK është duke u rrënuar dhe shkatërruar është kapur nga nëntoka. RTK nuk është pronë e Hashim Thaçit, as Kadri Veselit e as e Fatmir Limajt”, ka thënë Limaj.

Njëra ndër pikat e potestës të së shtunës të organizuar nga opozita ku bën pjesë edhe Limaj është “kapja e RTK”-së.

Limaj më pas ka theksuar se vëllai i tij ka qenë i punësuar në PTK në vitin 2003 në kohën kur ai ishte në Hagë.

Ai ka theksuar se vëllai i tij ka qenë vetë menaxher.

Limaj më pas ka theksuar se për të dalë në protestën e së shtunës qytetarët kanë 1 milion arsye për të cilët duhet të protestojnë.

Edhe një fakt interesant që Limaj e tha sonte në RTK është se ai ka paguar 430 euro rrymë në muaj për banesën 68 metrash katrorë, që është jashtë normales.