Limaj: Disa kandidatë për kryeministër kurrë s’kanë marrë vendime për vendin

Kandidati nga Nisma Socialdemokrate për kryeministër, Fatmir Limaj, ka thënë se ka kandidatë që synojnë drejtimin e ekzekutivit, por që asnjëherë nuk kanë marrë ndonjë vendim për shtetin.

 

Ai kështu ka thënë gjatë një takimi me qytetarët e Suharekës, duke shtuar se Kosova nuk e ka luksin të dërgojë njerëz të papërvojë për të biseduar me përfaqësuesit serbë, njofton Klan Kosova.

“Unë me kolegë të mi do të angazhohemi që ta përmbyllim marrëveshjen me Serbinë. Është koha që ta përmbyllim këtë marrëveshje”.

“Kush janë kandidatët për kryeministër? Kosova sot i ka pesë oferta, secili nga ta mund të jetë kryeministër i Kosovës. Mirëpo e kemi obligim të dalim para qytetarëve dhe të tregojmë se kush jemi ne dhe çka bëjmë nëse bëhemi kryeministër”.

“Si është e mundur që Kosova e ka këtë luks që ta zgjedhë një Kryeministër që vendin e parë të punës e kanë si Kryeministër. Atje ka kandidatë që asnjë punë në jetën e tyre nuk e kanë bërë në sektorin publik”.

“A e ka këtë luks Kosova që të ja dorëzojë shtetin në dorë një njeriu që s’ka marrë kurrë vendim për vendin. Për ta drejtuar shtetin janë disa parakushte: me qenë kompetent, me pasur përvojë, me pasur urtësi dhe përvojë politike”.

“Që nga mosha e re e deri më tani, kam marrë pjesë në vendimet më të rëndësishme të këtij shteti. Nuk ka gjë më të vështirë sesa të vendosësh për fatin e njerëzve dhe të vendit. Një vendim mund të jetë shumë i rrezikshëm dhe mund t’i kushtojë vendit”.

“Si do të dialogojë me Serbinë ai i cili nuk ka marrë një vendim në jetën e tij? Si do ta drejtojë vendit ai i cili tëre jeta e tij ka qenë sharje. Vendi pret vendime dhe zgjidhje. Është me rëndësi që ta kemi një kryeministër i cili ka përvojë”.