Liderët drekojnë pas takimit me diplomatin amerikan, ende asnjë deklaratë

Liderët kosovarë sot kanë mbajtur një takim me Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështje politike, David Hale.Sipas asaj që raportohet në medie, takimi ka zgjatur për rreth një orë dhe ende nuk ka asnjë informacion nga udhëheqësit e shtetit në lidhje me diskutimet në takim.

Hale ka qëndruar të premten në Serbi, ndërsa sot po qëndron në Kosovë ku është takuar edhe me krerët e shtetit për të diskutuar në lidhje me pezullimin e taksës dhe vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi.

Diplomati amerikan e ka bërë të qartë se vizita e tij në Serbi dhe në Kosovë do të jetë me objektive të qarta – vazhdimi i dialogut dhe se do të ketë kërkesë ndaj Kosovës për heqje të taksës.

Pas takimit, mediet kanë raportuar se Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, Kryeminstri Ramush Haradinaj dhe Presidenti Hashim Thaçi janë parë duke drekuar së bashku.

Kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqje të taksës është e njohur tash e sa kohë, por a do të arrij Hale ta bind Haradinajn i cili këmbëngul që kjo taksë të qëndroj?

Ndërkohë, dje në Serbi David Hale kishte bërë thirrje tek qeveria serbe që të ulen në tavolinën e bisedimeve dhe të arrihet marrëveshja midis dy shteteve.

Gjithashtu, SHBA-të janë duke mbështetur vazhdimisht arritjen e një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë që është e pranueshme për të dy palët, ligjërisht obligative dhe gjithëpërfshirëse.