Licensohet operimi i tri hidrocentraleve në Deçan, MMPH-ja dhe shoqëria civile kundër këtij vendimi

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim që t’ua vazhdojë licencën e operimit për periudhë njëvjeçare tri hidrocentraleve të kompanisë “Kelkos Energy” në Grykën e Deçanit, përkatësisht HC “Bellaja”, HC “Deçani” dhe HC “Lumbardhi 2”. 

Por, ky vendim nuk është mirëpritur nga banorët e Deçanit.

Faton Selmanaj ka thënë se asnjëra nga këto kompani nuk posedojnë lejen mjedisore, sipas tij, nuk duhet vepruar.

“Mendoj se ky vendim do të jetë i dëmshëm. Hidrocentralet pastaj do të rishikohen pas formimit të qeverisë së re. Atëherë kur do të formohen komisionet e reja, ekspertet sigurisht se do të dalin në terren dhe do të shohin gjendjen”, deklaron  Faton Selmanaj.

Kundër këtij vendimi është edhe shoqëria civile. Sipas tyre nuk është në përputhje me interesat e komunës. Ata fajin ia hedhin edhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Jemi duke u koordinuar edhe me organizata tjera joqeveritare nga Peja dhe do të shohim të gjitha mundësitë e organizimeve qytetare përfshirë edhe protestat. Këto vendime janë joligjore pasi nuk kanë licenca”, thotë Adem Lushaj, përcjell Telegrafi.

Në anën tjetër, ministri në largim i Ministrisë së Mjedisit, Fatmir Matoshi, ka thënë se asnjë rekomandim e as pëlqim nuk është dhënë nga MMPH-ja. Sipas Matoshit, ministria që ai drejton, ka kërkuar përmes ZrRE-së të anulohet vazhdimi i funksionimit hidrocentraleve në Deçan.

“Hidrocentralet në Deçan deri në fillim të këtij viti kanë funksionuar në mënyrë ilegale. Ka qenë një shkresë e imja drejtuar ZRRE-së që në Deçan po prodhohet rrymë në mënyrë ilegale dhe ju duhet ta keni parasysh këtë”, thotë Fatmir Matoshi.

Përndryshe ministri Matoshi ka shtuar se nuk i ka përfunduar të gjitha procedurat administrativo-ligjore pranë MMPH-së për projektin “Ndërtimi i Hidrocentraleve në Lumbardh të Deçanit” dhe si rrjedhojë nuk janë plotësuar kriteret ligjore për operim.