LDK vazhdon ta mohojë humbjen, Avdyli: VV ka fituar vetëm të drejtën e formimit të qeverisë

Gjatë kohës sa Isa Mustafa dhe Albin Kurti po negociojnë për arritjen e një koalicioni për bashkëqeverisje pas zgjedhjeve të 6 tetorit, nga taborët e dy partive nuk po mungojnë deklarata ngacmuese.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës po vazhdon të insistojë që në zgjedhjet e 6 tetorit nuk ka pasur fitues dhe se Vetëvendosje ka dalë e para, por nuk është fituese, shkruan lajmi.net.

“Nuk ka parti fituese, ka parti që ka dalë e para, e dyta e me rradhë. Partia e parë ka vetëm të drejtën dhe mundësinë për krijimin e koalicionit qeverisës i votuar nga 61 deputetë ne Kuvend”, ka shkruar Avdyli në profilin e tij në facebook,

Pra, sipas Avdylit, Vetëvendosje me rezultatin e zgjedhjeve ka fituar vetëm të drejtën për formimin e qeverisë.
Se VV ka dalë vetëm e para në zgjedhje dhe që nuk i ka fituar ato e ka thënë edhe ish-shefi i GP të LDK-së, Avullah Hoti.

Sipas Hotit nëse Vetëvendosje do t’i kishte fituar zgjedhjet nuk do të kishte pasur nevojë për votat e LDK-së për ta krijuar qeverinë.

Kujtojmë se takimi i fundit mes dy liderëve të dy partive për arritjen e koalicionit është mbajtur të hënën, dhe ka përfunduar me mospajtimin e VV’së për kërkesën e LDK’së për pozitën e presidentit.