LDK për takimin në Berlin: Dialogu nuk ka arsye të fshihet!

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur të papranueshëm dhe tejet të rrezikshëm takimin ndërmjet përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe atyre të Serbisë në Berlin.

Në një komunikatë, LDK thotë se dialogu nuk ka arsye të fshihet pa marrë parasysh nivelin e tij dhe çështjeve që diskutohen në dialog.

Sipas tyre, dialogun nuk mund të udhëheqë ky koalicion e as Presidenti.

Reagimi i plotë i LDK-së:

Dialogu nuk ka arsye të fshihet, pa marrë parasysh nivelin e tij dhe çështjeve që diskutohen në dialog. Gabojnë edhe shtetet e BE-së në qoftë se kultivojnë një praktikë të tillë sepse e bënë procesin e dialogut të pabesueshëm për ne dhe për qytetarët e Kosovës.

Veprime të tilla vënë në dyshim transparencën që mund të pret Kosova nga dialogu, kur jo vetëm që qytetarët e saj nuk janë informuar paraprakisht për përmbajtjen e takimit të djeshëm, por edhe vet takimi është mbajtur fshehurazi.

Për takime të fshehta, është përmendur më parë Presidenti i vendit, ndërsa tani po dëshmohet se në të njëjtën rrugë është edhe Qeveria. Mos të habitemi, në qoftë se pas disa dite do të dëgjojmë edhe për një takim të fshehtë në Beograd ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive, që është shkelje absolute e principeve të dialogut.

LDK është e bindur se dialogun nuk mundet dhe nuk duhet ta udhëheqë ky koalicion qeverisës dhe as Presidenti i vendit. Që të kemi dialog përmbajtjesor dhe të përgjegjshëm duhet të mbahen zgjedhet, të dal një qeveri me besim të qytetarëve dhe të arrihet pajtueshmëri e gjerë.

Dialogu Kosovë-Serbi duhet të zhvillohet me mbështetje të domosdoshme të SHBA-ve dhe me ndërmjetësim të Komisionit të ardhshëm të BE-së.