LDK-ja nuk e voton asnjë marrëveshje të dialogut pa shkuar në zgjedhje

Para se vendi të shkojë në zgjedhje dhe të krijohet institucionet e reja të Kosovës, Lidhja Demokratike nuk do ta votojë as edhe një marrëveshje e cila mund të vijë nga presidenti Hashim Thaçi apo Ekipi Negociator.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një intervistë për Rubikon të KTV-së ka thënë se ata do të jenë pjesë e dialogut, mirëpo pas zgjedhjeve.

“Thaçi mund të dialogojë, edhe pse s’ka të drejtë ta bëjë, dialogon qeveria dhe jo Thaçi. Mirëpo, ajo marrëveshje që vjen nga Thaçi në Kuvend, ai duhet ta dijë atë që, edhe Thaçi, edhe të tjerët që po insistojnë se LDK-ja nuk do ta votojë, asnjë marrëveshje për të cilën nuk jemi marrë vesh paraprakisht”.

“Gjithsesi, ne do të jemi pjesë e dialogut, pavarësisht sa do të marrim vota, kur të hyjmë në proces zgjedhor, ne do t’i themi opinionit se ne do të jemi pjesë e dialogut. Për neve, dialogun duhet ta udhëheqin institucionet e Republikës së Kosovës”.

Mustafa: Dialogu të ndalet ose të ngrihet përkohësisht

Pas pothuajse 7 vitesh prej kur kanë filluar bisedimet me Serbinë, aktualisht Kosova gjendet në fazën kur kërkohet që ky dialog të ndalet apo të ngrihet përkohësisht.

Isa Mustafa, ish-kryeministër i Kosovës thotë se dialogu duhet të ndalet deri sa të krijohet një ambient më i përshtatshëm dhe kjo përmes mbështetjes dhe ndikimit të forcave ndërkombëtare.

Ai tha se edhe brenda vendit duhet fillimisht të rishikohet procesi dhe të vendoset se çfarë do Kosova prej këtij procesi e jo të bëhen gara se kush po i bashkohet ekipit negociator.

“Përkohësisht duhet të ndalet, të ngrihet ose të shtyhet. Përderisa Serbia po bën fushatë kundër pavarësisë së Kosovës atëherë është absurde që ne të ulemi me Serbinë për të kërkuar njohjen e Kosovës sepse ata po të mendonin me njoftë atëherë nuk do të bënin fushatë për ç’njohje”, ka thënë Mustafa.

“Duhet të bisedojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në mënyrë që ata ta bindin ose të ushtrojnë ndikim te Serbia të ndalet një herë sepse duhet të krijohet një atmosferë për dialog dhe ne atmosferë për dialog s’kemi përderisa Daçiqi vrapon për të tërhequr njohjet e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

“Ne duhet t’ia sqarojmë vetvetes se çka duam nga ky dialog. Nuk duhet të bëjmë gara se kush t’i bashkëngjitet ekipit të dialogut”.