LDK e PDK bëjnë fushatë me taksën ndaj Serbisë, thonë se nuk e heqin

Për dallim nga fushatat e zgjedhjeve të kaluara ku premtoheshin mijëra vende pune e liberalizim vizash, në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen sivjet në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit, pikë qendrore e fushatës do të jetë dialogu me Serbinë dhe çështja e taksës.

Këtë sinjal të paktën e kanë dhënë dy prej partive më të mëdha në vend. Kryetari i LDK-së Isa Mustafa në një intervistë për Radio Evropën e Lirë ka thënë se taksa nuk duhet të hiqet.

Përveç tjerash ai ka treguar se nuk ka pretendime t’ia mësyjë përsëri postit të kryetarit të Qeverisë.

“Taksa duhet të vazhdojë derisa Serbia të mos ndërrojë qëndrimet e veta dhe përderisa mos të reflektojë në të gjitha këto sjellje të bllokadës që po i bën Kosovës”, kishte thënë dje Mustafa për REL.

E në prag të fushatës parazgjedhore, mbajtjen e taksës tashmë e kërkojnë edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.

Zëvendëskryeministri në largim nga radhët e PDK’së, Enver Hoxhaj, ka thënë se taksa duhet të mbetet.

“Një kohë ne e kemi mbajtur një qëndrim, dhe unë nuk dua t’i ik pyetjes, por qëndrimi jonë aktualisht është që taksa duhet të mbetet në fuqi”, ka thënë Hoxhaj në një intervistë për Interaktiv.

Por cili ishte qëndrimi i këtyre dy partive për taksën në kohën kur nuk dihej se do të kishte zgjedhje të reja.

Isa Mustafa e kritikonte një vendim të tillë duke thënë se është marrë për të mbuluar dështimet e kësaj qeverie, megjithatë sa i përket heqjes apo jo të saj, Mustafa thoshte që i takon të marr vendim Qeverisë që drejtohej nga Ramush Haradinaj.

“Dihet se taksa u vu një ditë pasi Qeveria dështoi të anëtarësoj Kosovën në Interpol. Dështimi iu vesh Serbisë me të drejtë, por për këtë dështim nuk u fajësua askush në Kosovë që nuk e bëri punën mirë. Që ta mund Serbinë. Taksa mbuloi çdo gjë, i mbuloi të gjitha dështimet dhe po vazhdon t’i mbuloj edhe më tutje”, kishte shkruar Mustafa në profilin e tij në facebook.

Për dallim nga LDK’ja, nga PDK’ja thoshin madje që janë ideator të taksës 100 %. Një qëndrim i tillë ishte zbehur në momentin kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin filluar presionin e madh për heqjen e një vendimi të tillë. Përveç zbehjes së qëndrimit, PDK’ja madje kishte dalë plotësisht në anën tjetër. Kërkonte pezullim të saj.

Ky qëndrim i partisë së Kadri Veselit madje ka qenë edhe një prej arsyeve që Haradinaj ka prishur raportet me Veselin e madje edhe me Thaçin.