Lavrov pas takimit me Ramën: Rusia do të pranojë çdo marrëveshje Kosovë-Serbi

Çdo gjë për të cilën është rënë dakord për zgjidhjen e problemit të Kosovës nën rezolutën 1244, duhet të respektohet.

Kështu ka deklaruar Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov pas takimit me Kryeministrin shqiptar si dhe kryesuesin e OSBE-së, Edi Rama, i cili po viziton Moskën.

 “Ndërsa, Rama deklaroi se gjithçka që është rënë dakord për Ukrainën duhet të respektohet, ky parim duhet të zbatohet edhe me Kosovën”, theksoi Lavrov.

Kryediplomati rus tha gjithashtu se Rusia do të pranojë çdo marrëveshje të arritur nga Beogradi dhe Prishtina.

“Ekziston rezoluta 1244 dhe një seri marrëveshjesh të ndërmjetësuara nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës, përfshirë Asociacionin e Komunave Serbe”, theksoi ministri rus, duke shtuar se formimi i këtij asociacioni do të ishte një hap i madh përpara, raporton Sputnik, transmeton Klan Kosova.

Ai shtoi se një marrëveshje për Asociacionin ishte arritur më shumë se gjashtë vjet më parë, dhe se Prishtina refuzon ta zbatojë atë.

Lavrov gjithashtu tha se kur bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, presidenti rus Vladimir Putin ka thënë vazhdimisht se vendi i tij do të pranonte çdo zgjidhje të arritur midis Beogradit dhe Prishtinës dhe të inkurajonte në mënyrë aktive dialogun e tillë.