LAJMI I FUNDIT: Haga interviston Ramush Haradinajn më 24 korrik

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj do të udhëtojë në Hagë javën e ardhshme.

Burime të Gazetës Online “Reporteri.net”, të afërta me Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se ish-komandanti i UCK-së për Zonën e Dukagjinit, do të merret në pyetje nga prokuroret e specializuar në Hagë, më 24 korrik 2019 – që i bie të enjten e ardhshme.

Intervistimi i tij do të bëhet në cilësinë e të dyshuarit, siç ka njoftuar edhe vetë Haradinaj në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Në këtë konferencë, Haradinaj dha dorëheqje edhe nga posti i Kryeministrit, me arsyetimin se në Hagë nuk mund të shkojë Kryeministër, por do tu përgjigjet Dhomave të Specializuara si qytetar i thjeshte i vendit.

“Javën tjetër do ta kem intervistimin, dhe kam vlerësuar se atje nuk mund të paraqitem si kryetar i Qeverisë, por si një qytetar i Kosovës. Për me e ruajt nderin e kryetarit të Qeverisë edhe të shtetit, kam menduar se është e drejtë me e marrë këtë vendim”, ka thënë Haradinaj, i emocionuar para gazetarëve.