Agani: Populli turk nuk ka kursyer ndihmën për shqiptarët

Në Janjevë të Lipjanit u përurua xhamia e Murat Pashës. Ministri i MMPH-së, Ferid Agani, i pranishëm në këtë përurim, tha se Qeveria dhe populli turk nuk kanë kursyer ndihmën për shqiptarët.
“Është fakt i pamohueshëm se Kosova që nga dita e parë e pasluftës, në ditën e shpalljes së pavarësisë dhe pas saj, e ka pasur një mbështetje të pamatshme të Turqisë dhe popullit turk”, ka thënë Agani.
Ai mes tjerash ka thënë se për këtë ndihmë populli dhe qeveria e Kosovës janë falënderues.
“Ndihma juaj u shtri në dimensione të ndryshme të jetës shoqërore dhe ekonomike të vendit dhe perspektiva e këtyre marrëdhënieve është e ndritshme në të ardhmen. Me këtë rast dua të theksoj një rëndësi të madhe të një synimi të qartë të Republikës së Turqisë për të ndihmuar shtetin dhe popullin tonë”, ka thënë Agani.
Ndërsa zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmush, ka thënë se sa herë që vjen në Kosovë dhe takohet me turq e boshnjak, kujton të kaluarën që sipas tij “e kemi të përbashkët”.
“Dje erdhëm në Prishtinë, sot jemi në Janjevë, tanimë do të shkojmë në Prizren dhe duam të ju themi se këto qytete të Ballkanit për ne kanë vlerë po aq sa Bursa edhe qytetet e tjera të Turqisë”, ka thënë Kurtulmush para të pranishmëve.
Të pranishëm në këtë përurim, përveç zëvendëskryeministrit të Turqisë Numan Kurtulmush dhe ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ishin edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti e shumë ministra të Qeverisë së Kosovës.