Kuvendi i Kosovës nuk ka infrastrukturë për deputetin me karrocë

Fetah Rudi, i cili shfrytëzon karrocën për të lëvizur, shumë shpejt do të zë vend si deputet në Kuvendin e Kosovës. 

Me gjendjen e tij aktuale fizike, ky veprimtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jetë personi i parë me karrocë që është i zgjedhur i popullit dhe merr pjesë në seanca.

Por, objekti i Kuvendit të Kosovës nuk e ka të rregulluar infrastrukturën për personat me nevoja të veçanta.

“Plotësimi dhe standardizimi i kushteve për persona me aftësi të kufizuara është synimi im në Kuvend”, ka thënë Rudi.

Rudit do t’i lejohet një asistent të ndihmojë për kryerjen e detyrave si deputet i Kuvendit. Derisa Kuvendit që nga hyrja e deri te foltorja i mungon infrastruktura për personat me nevoja të veçanta.