Kurti tregon nëse “Shengeni ballkanik” e lufton varfërinë në Kosovë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk e sheh “Shengenin ballkanik” si një mundësi për të luftuar varfërinë.   

Kurti tha se Kosova është e varfër, sepse nuk ka akumulim të kapitalit dhe akumulimi i kapitalit vjen nga prodhimtaria.

Sipas Kurtit, Kosova duhet të kthehet në një popull prodhues, krijues dhe jo në një popull konsumator që mezi mbijeton.

“Nuk besoj që ne jemi të varfër sepse i mungon liria e qarkullimit të kapitalit apo njerëzve. Por ne jemi të varfër, e të papunë sepse nuk kemi akumulim të kapitalit dhe akumulimi i kapitalit vjen nga prodhimtaria. Prodhimtaria është industriale, bujqësore dhe zejtare dhe ne kemi deficite të tmerrshme tregtare, të cilat na i mbulon dhe përkthehet në mbijetesë, Diaspora jonë me remitancat e shumta. Shqipëria e ka diasporën e saj në Itali e Greqi, Kosova e ka në Zvicër dhe në Gjermani dhe ata neve na kompensojnë për ato deficite të tmerrshme tregtare që i kemi. Në Kosovë raporti 1 me 9, në Shqipëri nëse nuk gaboj është 1 me 3’, ka thënë ai.

“Ne duhet të kthehemi në një popull prodhues, krijues dhe jo në një popull konsumator që mezi mbijeton. Kjo nuk ka të bëjë me lirinë e kapitalit, edhe të financave, edhe të njerëzve. Kjo ka të bëjë me mungesën e bazës industriale të prodhimtarisë vendase, e cila do të na i zëvendësonte importet dhe do të na rriste eksportet”, tha ai.