Kurti: Do të konsultohem me Visarin për interesin e VV-së

Kandidati për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, njëherësh themelues i kësaj Lëvizje ka falënderuar ish-kryetarin Visar Ymeri për udhëheqjen gati tri vjeçare.

Ndonëse, ish -kryetari Visar Ymeri, nuk kishte ardhur për të dëgjuar programin e kandidatit për kryetar të LVV-së Albin Kurti, ky i fundit tha se do të bashkëpunojë me Ymerin në të mirë të Lëvizjes.

Kurti: Do të konsultohem me Visarin për interesin e përgjithshëm të LVV-së

“Dua ta falënderoj Visar Ymerin për udhëheqjen e drejtimin gati tre vjeçar të Lëvizjes, për punën e kontributin e angazhimin e vazhdueshëm të tij shumë të dobishëm e shumë të vlefshëm për Lëvizjen tonë. Visari është anëtar në Lëvizje bashkë me neve, Visari  është deputet i Vetëvendosjes  në Kuvend bashkë me neve. Unë gjithmonë e kam çmuar dhe e çmoj mendimin e Visarit, si në rrafshin politik e ideologjik, po ashtu edhe në atë institucional e praktik. Visari rregullisht është konsultuar me mua sa ka qenë kryetar kur unë nuk isha më , kështu do të bëj edhe unë, do të konsultohem më të për interesin e përgjithshëm të Lëvizjes dhe të mirën për të gjersa ecim së bashku”,  tha ai.

Përveç ish-kryetarit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, në këtë prezantim munguan edhe ish sekretari organizativ Dardan Molliqaj, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ai i Kamenicës Qëndron Kastrati, deputetët Aida Dërguti, Dardan Sejdiu, Dukagjin Gorani.