Kurti: Projekti për ndarjen e Kosovës ka dështuar mirëpo ideja për ndryshim ende jo

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti është duke marrë pjesë në konferencën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se projekti i Serbisë për ndarjen e Kosovës ka dështuar, kurse ideja ende nuk ka vdekur.

“Projekti për ndarjen e Kosovës në Serbi është quajtur kufizim me shqiptarët, ndërsa në Kosovë është quajtur korrigjim i kufijve me kompromis të dhimbshëm.
Kemi pasur dy emërtime për të njëjtën gjë. Kemi arsye për gëzim por jo edhe për festim, gëzim pa festë, sepse vetëm projekti ka dështuar ndërsa ideja ende nuk ka vdekur. Me 6 korrik në muajin e ardhshëm behën dy vjet nga letra e ish-negociatores Edita Tahiri dërguar zonjës Mogherini, për idetë e Serbisë për ndryshimin e kufijve, ne e kemi vlerësuar letrën e zonjës Tahiri”, tha Kurti.

I pari i Vetëvendosjes, foli edhe për bashkimin e Luginës me Kosovën, ai tha se pengesa për realizimin e kësaj nuk qëndron në Prishtinë.
“Bashkimi i Kosovës me Luginën, besoj që edhe ju e ndani të njëjtin mëndim se pengesa e kësaj është në Beograd dhe jo në Prishtinë, është Vuçiqi është Serbia, e cila i nënçmon shqiptarët atje, dhe nuk është Prishtina”, tha ai.

Kurti theksoi se rruga e Kosovës për në Bashkimin Evropian nuk kalon në Beograd, por që rruga e Serbisë për Bashkimi Evropian kalon nëpër Kosovë.

“Pengese për neve në BE janë pesë shtetet që nuk na kanë njohur, kurse për Beogradin pengesë është Kosova, po ta njohë Serbia Kosovën si Republikë të pavarur ajo shpejtë do të bënte hapa drejt BE-së, Serbisë po i ngutet, por neve na duhet na njohja e pesë vendeve të BE-së”.

Kurti konsideroi se zgjidhja e duhur është t’i bëhet një analizë dialogut 6 vjeçar me Serbinë, dhe të shihen marrëveshjet e arritura se çfarë ka ndodhur më to, pastaj të vazhdohet përpara.