Kurti: Në këto ditët e mbetura do ta rrumbullakojmë marrëveshjen

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot ka qëndruar në Prizren me rastin e Ditës Përkujtimore të Holokaustit, ku ka folur për mbarëvajtjen e bisedimeve me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Edhe pse kanë kaluar tre muaj negociata, Kurti nuk mendon që është vonë për arritjen e marrëveshjes dhe krijimin e qeverisë.

Ai para gazetarëve në Prizren, ka thënë se e kupton që ka frustrim të madh, por tashmë janë afatet kushtetuese dhe qytetarët nuk do të presin më gjatë se në fillim të javës së ardhshme.

“Mund të thuhet që ne jemi duke u zgjatur për vetëm një muaj me qenë se deri me datën 26 dhjetor nuk ka qenë në dorën tonë, seanca konstituive e legjislaturës së shtatë u pat caktuar nga presidenti më 26 dhjetor dhe deri më 26 dhjetor, nuk kemi pasur çfarë të bëjmë, por që nga 26 dhjetori e këtej me siguri që sa më shpejt aq më mirë, por po e bëmë sot ose po e bëmë këtë javë unë nuk mendoj që është tepër vonë, në përgjithësi si shtet jemi vonë, por nuk është tepër vonë dhe me besimin e mirë me urimet dashamirëse me vullnetin edhe përkushtimin që kam duke qenë i përgjegjshëm ndaj qytetarëve, jo vetëm unë, por të gjithë ne që po negociojmë besoj që në këto ditët e mbetura do ta rrumbullakojmë më në fund marrëveshjen”, tha Kurti.

I pari i LVV-së, Albin Kurti, bëri të ditur për mediat që komunikimin me LDK-në e kanë pasur të vazhdueshëm dhe që sot do të kenë takimin e radhës, në përpjekje për të finalizuar marrëveshjen bashkëqeverisëse.

Ndër të tjerash Kurti bëri të ditur se në qeverisjen e tyre do të jenë të pranishme edhe pakicat dhe përfaqësuesit e tyre, në mënyrë që përfundimisht vitin 2020 të fillojë me një qeverisje të mbarë e të mirë dhe me program të harmonizuar.

“Tema është ajo e njëjta, pra si ta rrumbullakojmë marrëveshjen përfundimtare për koalicionin qeverisës midis LVV dhe LDK, pastaj nga lartësia e asaj marrëveshje do të ishte shumë kollaj që edhe pakicat dhe përfaqësuesit e tyre t’i përfshimë në qeverisjen tonë, në mënyrë që përfundimisht vitin 2020, pra këtë dekadën e tretë të këtij shekulli ta fillojmë me një qeverisje të mbarë e të mirë, me program të harmonizuar, i cili do ta ketë reformën e pesëfishtë edhe për drejtësi edhe për siguri edhe për ekonomi edhe për shëndetësi edhe për arsim, sepse populli kështu ka votuar më 6 tetor të vitit të kaluar dhe ky është interes edhe i qytetarëve edhe i shtetit tonë.

Ne do të takohemi sot, komunikimin e kemi pasur të vazhdueshëm pozicionet i kemi të qarta, pozicionet tona i korrespondojnë qëndrimeve tona, propozimeve tona të shprehura nga Lidhja Demokratike e Kosovës më datën 8 janar, ndërkaq nga LVV, më datën 9 janar në takimet, të cilat i patëm zhvilluar ato dy ditë, kur kishte më shumë se një javë para se ne ta dorëzojmë propozimin për mua si mandatar, si kryeministër i ardhshëm te presidenti i Republikës, këto pozicione tona do të përpiqemi që t’i përafrojmë në mënyrë që ta kurorëzojmë me marrëveshje”, u shpreh Kurti.