Kurti e Osmani në Prekaz: Ky vend është kryeqyteti i qëndresës së popullit tonë dhe simbol i atdhedashurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani kanë bërë homazhe në Prekaz, me rastin e 12 vjetorit të pavarësisë.

Me këtë rast kryeministri Albin Kurti, e quajti Prekazin kryeqytet të kryengritjes dhe qëndresës së popullit tonë.

“Erdhëm sot në Prekaz në këtë kryeqytet të kryengritjes e qëndresës së popullit tonë, për të kujtuar e nderuar familjen Jashari. 59 veta të cilët luftuan dhe u sakrifikuan në një ngjarje të jashtëzakonshme që sot njihet si Epopeja e UÇK-së. Në 12 vjetorin e shpalljes së pavarësisë sot i kujtojmë me mall e pikëllim por edhe me shumë krenari”, tha Kurti.

Në anën tjetër kryeparlamentarja Osmani, tha se sot kanë ardhur për të nderuar sakrificën e familjes Jashari.

“Së bashku me kryeministrin dhe anëtarët e qeverisë ishim për të nderuar në këtë 12 vjetor të pavarësisë sonë, sakrificën e familjes Jashari të komandantit legjendat Adem Jashari dhe të gjithë anëtarëve të kësaj familje që u flijuan në mënyrë që ne sot ta gëzojmë lirinë dhe shtetin tonë “, tha Osmani.

Ai shtoi se Prekazi duhet të vazhdojë të jetë udhërrëfyes për punën e tyre.

“Është pikërisht ky vend që dëshmon atdhedashurinë që është simbol i asaj sesi duhet vendi, dhe duhet të vazhdojë të jetë udhërrëfyes për punën tonë për brezat e ardhshëm”, u shpreh Osmani.