Kurti e Mustafa mbledhin kryesitë e partive, sot takimi i radhës për koalicionin

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa sot kanë mbledhur kryesitë e partive për të diskutuar në lidhje me koalicionin e mundshëm midis dy partive.

Dje, kur po pritej edhe zyrtarizimi i marrëveshjes midis dy partive për koalicion qeverisës, takimi i gjatë mes Kurtit e Mustafës rezultoi të ishte i njëjtë si të tjerët, shkruan lajmi.net.

Dy ish-shefat e grupeve parlamentare, Glauk Konjufca e Avdullah Hoti në prononcim për media thanë se takimi ka shkuar mirë dhe se janë pajtuar të takohen më shpesh.

Sot, Lëvizja Vetëvendosje aktualisht është duke mbajtur mbledhje të kryesisë për të diskutuar në lidhje me koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës e në anën tjetër, Mustafa do të mbledh kryesinë e partisë në ora 11:00 për po të njëjtën temë.

Sot pasdite pritet të takohen të dy liderët për të vazhduar dialogun që të arrihet modaliteti për formimin e qeverisë së re.

Burime të mediave brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë thënë se marrëveshja do të arrihet, ani pse brenda LDK-së ka mospajtime për formatin e koalicionit.

“Me Vetëvendosjen, nuk ka zgjidhje tjetër. Ka mospajtime për ministritë dhe marrëveshjen e mundshme, por zgjidhja e vetme është ky koalicion”, ka thënë ky burim për lajmi.net.

Ndërkohë, vlen të theksohet se seanca konstitutive e Kuvendit do të mbahet më 26 dhjetor.