Kundërmim i rëndë në dy soliterët e mëdhenj në Ulpianë, alarmohen qytetarët

Një kundërmim i rendë ka përfshirë dy godinat e mëdha në lagjen Ulpiana të Prishtinës, konkretisht, soliterin 2 dhe 3.

Banorët që jetojnë në këto dy ndërtesa po ankohen se që një javë kundërmimi po ndihet brenda ndërtesës.

Por, gjatë ditës së sotme kundërmimi është ndier deri deri në katin më të lartë te soliteri i tretë.

Në fotografitë e siguruara nga lajmi.net shihet se kundërmimi po vije nga podrumet e ndërtesës, në të cilat dyshohet se kanë shpërthyer ujërat e zeza.

Banorët kanë rrëfyer për lajmi.net se ky problem është që një vit, por se sot ka arritur kulmi i kundërmimit.

“Kërkesa e fundit në Komunë është dërguar në vitin 2018, por kemi bërë edhe më herët. Ata janë përgjigjur që nuk kanë mjete e as financa për të intervenuar aty. Çdo javë po mbushet me ujë. Ujësjellësi vjen e pastron edhe prapë mbushet. Uji vjen nga kanalizimi, nga rruga e qytetit ku bllokohet kanalizimi dhe mbushet me ujë”, tregon një banorë i ndërtesës.

Një tjetër banor thotë se me problemin është i njoftuar edhe kryetari i Prishtinës.

“Para 2 vitesh ka qenë edhe Shpend Ahmeti në vendin e ngjarjes dhe është njoftuar për pompën e ujit me të cilën furnizohet ndërtesa, ka telefonuar dikë duke kërkuar intervenim për problemin e kanalizimit dhe asgjë nuk është zgjidhur. Problemi i njëjtë paraqitet edhe në Soliterin 2”, tregon ky banorë.

Më poshtë mund të shihni disa fotografi të bëra sot: