Kryetari i Preshevës për sulmin e autobusit kosovar nga serbët, kërkon reagimin e bashkësisë ndërkombëtare

Kreu i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar pas sulmit që iu bë autobusit kosovar në Serbi.

Mbrëmë, pas mesnate në ora 02:00, autobusi që po qarkullonte nga Kosova për në Gjermani, është sulmuar në Serbi, përkatësisht në afërsi të Krushevcit.

Pas kësaj ngjarje ka reaguar edhe i pari i Preshevës, Shqiprim Arifi.

Përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Arifi ka dënuar këtë sulm.

“Të shqetësuar rreth këtij lajmi dënojmë ashpër këtë sulm dhe të gjitha sulmet vandale të këtij lloji nga ana e sulmuesve serb”, ka shkruar fillimisht ai.

Ai ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ndërhyjë në këto çështje, në mënyrë që siç tha ai, lëvizja nëpër Serbi të jetë e sigurt.

“Gjithashtu kërkojmë edhe nga faktori ndërkombetar të ndërhyj në këto çështje dhe të ketë siguri dhe lëvizje të lirë nëpër tërë territorin e Serbise pasi lëvizja e lirë është esenciale për të gjithë popujt dhe paraqet perspektivën e integrimit në Bashkimin Evropian”, shkruan ndër të tjera ai.