Kryeministri Mustafa në Viti premton zhvillime në bujqësi

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës që i bëri sot komunës së Vitisë, ka pohuar se është i vetëdijshëm për nevojat që ka Vitia nga problemet e punësimit, çështjet sociale, problemet e infrastrukturës shkollore e rrugore dhe problemi i vërshimeve me të cilin po përballen për vite me radhë banorët e disa fshatrave.

“Tani jemi në një situatë kur duhet fuqizohet roli i komunave dhe ky fuqizim nuk duhet të bëhet vetëm përmes deklaratave por që të bëjmë ndryshime sistemore që qeverisjen lokale do të bënte më të fuqishme veçmas në fushën e zhvillimit ekonomik”, ka thënë Mustafa gjatë kësaj vizite.

Lidhur me çështjen e vërshimeve, Mustafa ka thënë se do të trajtohen bashkë me Ministrinë e Planifikimit Hpësinor, me të cilën do të mundohen të gjejnë zgjidhje jo vetëm për komunën e Vitisë, por edhe të komunave tjera.

Kryeministi Mustafa, ka premtuar mbështetje për zhvillimin e bujqësisë në këtë komunë, transmeton Vitialive.com.

“Vitia si një rajon me tokë pjellore, duhet të ketë një mbështetje më të madhe në aspektin e zhvillimit të kësaj fushe dhe ne përmes Ministrisë së Bujqësisë në mënyrë që të përkrahim projektet bujqësore, ngase prona të tëra janë rrezikuar nga vërshimet. Ndërkaq për shkollën në Pozheran është projekt që domosdoshmërisht duhet të realizohet se[pse nuk mund ti lëmë 1.000 nxënës të mësojnë në kushte pa volitshme”, ka thënë ai.

Lidhur me problemin e dëmtimit të rrugëve rajonale , kryeministri Mustafa theksoi se së shpejti ky problem do të zgjidhet, pasi që për të dy rrugët Viti-Kllokot dhe Viti-Gërlicë projekti është në fazën e tenderimit.

Ndërsa kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, tha se në takim me kryeministrin ka paraqitur të arriturat dhe sfidat që po e përcjellin komunën e Vitisë, për çka ka marrë mbështetje nga i pari i qeverisë së Kosovës për zgjidhjen e problemeve.

Vizita e kryeministrit Isa Mustafa në Viti ka pasuar me përurimin e repartit të Emergjencës në Qendrën e Mjekësisë familjare në Viti dhe me një vizitë në fabrikën për prodhime metalike Vinex./Gazeta Tribuna/