Krasniqi: Përse të mos i jepej Çmimi Nobel për Humanizëm Millosheviqit

Jakup Krasniqi ka reaguar pas dhënies së çmimit Nobel për letërsi për vitin 2019, shkrimtarit austriak Peter Handke.

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka reaguar pas dhënies së çmimit Nobel për letërsi për vitin 2019, shkrimtarit austriak Peter Handke, duke thënë se në momentin që vendoset për t’i dhënë çmim këtij autori, pse nuk ia japin edhe Sllobodan Millosheviqit dhe njëkohësisht të legjitimohet shtrembërimi i historisë së shqiptarëve dhe i territorit të tyre.

Krasniqi në një opinion ka shkruar se është habitëse përse njerëzit e artit, të shkencës, njerëzit që e duan drejtësinë e humanizmin, njerëzit që thirren në vlera e krenohen me to, nuk e ngrenë zërin ndaj këtij akti të shëmtuar, dhënies së Çmimit Nobel për Letërsi një autori që ka mbrojtur gjenocidin serb të Millosheviqit, transmeton Kp.

Sipas tij, përse të mos i jepej Çmimi Nobel për Humanizëm Millosheviqit dhe njëkohësisht të legjitimohet shtrembërimi i historisë së shqiptarëve dhe i territorit të tyre.

“Sipas nobelistit Handke Millosheviqi e paskërka mbrojtur “tokën serbe” nga “Zogjtë e Qyqeve të Hoçës së Madhe”, që paskan pas bërë agresion në tokat e huaja! Do të ishte kulturë, e humanizëm, do të ishte njerëzi, për popullin suedez dhe popujt e botës perëndimore e demokratike, që të vihen në mbrojtje të popujve qëiu nënshtruan një padrejtësie të madhe, mbi të cilët qe ushtruar gjenocid i tmerrshëm në fund të shekullit XX! Apo Evropa vazhdon të jetë imune nga politikat ekspansioniste, shoviniste, nazifashiste e gjenocidiste?!”, ka shkruar ai.